Lajme të këqija nga Rusia, Shqipëria me sytë nga të rinjtë

Futboll

Lajme të këqija nga Rusia, Shqipëria me sytë nga të rinjtë

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 00:32
Terek-Balaj-Roshi

Na ndajnë dhe pak ditë nga ndeshja e parë që do të luaj Shqipëria në Ligën e Kombeve, pikërisht përballë Izraelit dhe situata nuk është aspak pozitive. Trajneri Christian Panucci do të ketë një grup të përgjysmuar për shkak të dëmtimeve, por tashmë lind edhe një problem tjetër, pasi lojtarët më të mirë të kombëtares po qëndrojnë në stol.

Sadiku ka pësuar një dëmtim të rëndë dhe do të ketë një pauzë të gjatë nga fushat edhe Odise Roshi gjithashtu vuan nga një dëmtim. Ndërsa Eros Greza sapo është rikuperuar dhe ka filluar stërvitjen me grupin për të rifituar formën më të mirë.

Por këtyre problemeve të mëdha në sulm i shtohet edhe dy emra të tjerë. Sokol Cikalleshit tashmë luan në kategorinë e dytë në Turqi me Osmanlispor, ndërsa Bekim Balaj ka humbur vendin e titullarit tek rusët e Akhmat Grozni.

Balaj e nisi mjaft mirë në dy ndeshjet e para, pasi u aktivizua titullar, por pasi nuk gjeti rrugën e rrjetës trajneri e ka ulur në stol për ta përdorur si zëvendësues, apo për ta parë ndeshjen nga aty. Në ndeshjen e sotme, të cilën skuadra e tij e humbi me shifrat 2-1 përballë Ural, sulmuesi shqiptar qëndroi gjatë 90 minutave në stol, duke mos pasur mundësinë që të kontribuojë në radhët e skuadrës së tij.

Mbetet për tu parë nëse trajneri italian do të përdorë emrat e rinj të sulmit shqiptarë që janë duke kaluar një moment mjaft të mirë në Belgjikë apo në Spanjë. Sidrit Guri është kthyer në një titullar të padiskutueshëm tek Oostende, Kristal Abazaj është aktivizuar tek Anerlechti dhe Rey Manaj ka shënuar në ndeshjen e parë në Spanjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat