Kush është shqiptari i Manchester Cityt që i bashkohet Kosovës?

Futboll

Kush është shqiptari i Manchester Cityt që i bashkohet Kosovës?

Më: 27 gusht 2018 Në ora: 10:56
Arjanet Muriqi

Përpjekjet e pareshtura të ish presidentit Fadil Vokrri e ku ishte i pranishëm edhe presidenti i tanishëm Agim Ademi bashkë me menaxherin Bajram Shala, për të sjellë futbollistë të ri e të talentuar në Kombëtaren A, u kurorëzuan me sukses. Pas disa muajve të bisedave të frytshme sot portieri i Manchester City-t, Arjanet Muriqi i tha po Kombëtares A të Kosovës. Duhet cekur se Arjaneti është portier 20-vjeçar me lartësi 1.98 cm dhe luan për U-23 të Manchester Cityt dhe ka kontratë deri më 2021. Bëhet fjalë për portierin shqiptar nga Mali i Zi i lindur në Zvicër e një kohë ka mbrojtur ngjyrat e Cyrihut për kaluar në Man. City. Në një bisedë telefonike babai i Arjanetit, z. Samir Muriqi duke shprehur kënaqësinë e tij dhe duke falënderuar krerët e FFK-së tha:

“Jam shumë i lumtur që pas shumë bisedave që patëm me krerët e FFK-së dhe pas bashkëbisedimit me djalin tim Arjanetin, ai, vendosi që t’i bashkohet Kosovës përkatësisht Kombëtares A. Arjaneti ishte pjesë e Kombëtares malazeze natyrisht për të rinjtë, por ai dhe unë si baba vendosëm t’i themi po Kosovës e t’i bashkohemi trungut tonë të cilit i takojmë. Besojëse Arjaneti do të japë kontributin e tij dhe se Kosova ka fituar një portier me perspektivë. Të kuptohemi ne nuk po e tradhtojmë as Malin e Zi por ata nuk kanë qenë të gatshëm t’i gjejnë një vend në Kombëtaren A, kësisoj ne bëmë zgjedhjen e duhur. Unë besoj se Kosova ka një të ardhme të ndritur e që shpresoj që edhe Arjaneti të jetë pjesë e këtij suksesi dhe uroj gjithë të mirat”.

Ndërkaq, presidenti i tanishëm i FFK-së, z. Agim Ademi, i cili ishte pjesë e bisedimeve me Arajnetin, për ardhjen e tij u shpreh:” Me vjen mirë që pas shumë muajve bisedimeve që patëm me këtë futbollist të ri e shumë talentuar arritëm mirëkuptim që të na bashkohet në rrugëtimin tonë për Ligën e Kombeve. Ne nuk do të ndalemi por do të kërkojmë edhe futbollistë tjerë që luajnë nëpër Evropë, por shtabi teknik i Kombëtares A do të vëzhgojë edhe futbollistët nga IPKO Superliga e Kosovës”. Nga ana tij, menaxheri Bajram Shala me këtë rast tha:

“Ne kemi qenë në kontakt me Arjanetin që disa muaj, nëpërmjet Zekrija Shabanit që vepron në Zvicër dhe që ka ndihmuar në çështjen e tij. Madje edhe tashmë presidenti i ndjerë Vokrri dhe presidenti i tanishëm Agim Ademi, patën takim me Arjanetin dhe babanë e tij, kështu që interesimi ynë për të nuk është i tanishëm. Përveç  tij së shpejti presim të afrohen edhe disa futbollistë të rinj që janë në vende të ndryshme në Evropë”.

Edhe ndihmësi i përzgjedhësit Challandes, z. Ramush Gashi është shprehur i kënaqur  me ardhjen  e Arjanetit duke thënë se Kosova ngadalë po forcon radhët e veta për të qenë një Kombëtare respektabile.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat