Tovërlani: Nuk kam ardhur të zbuloj ujin e nxehtë në Ferizaj

Futboll

Tovërlani: Nuk kam ardhur të zbuloj ujin e nxehtë në Ferizaj

Nga: Kemajl Goca Më: 27 gusht 2018 Në ora: 16:01
Afrim Tovërlani

Dy javët e para sollën rezultate interesante në elitën e futbollit dhe madje Flamurtari i Prishtinës është në krye të renditjes me 6 pikë, që as laiku më i madh nuk e kishte pritur.  Ana tjetër e medaljes është edhe klubi i Ferizajt, i rikthyer në elitë, në dy ndeshjet e para ka treguar lojëra të mira hiq humbjes (1:0) në saje të fatit sportit në kryeqytet nga Flamurtari, të dielën që e lamë pas si vendas e mundën me rezultat 1:0 Lirinë nga Prizreni. Fitore e madhe dhe tri pikë domethënëse për kolektivin që nuk i kishte nisur përgatitjet me kohë, por gradualisht po konsolidohen duke iu falënderuar punës së palodhshme të kryetrajnerit të ri Afrim Tovërlani apo siç njihet me nofkën “Toki”.

Parësore te Tovërlani është puna, angazhimi dhe disiplina. A mendoni se Ferizaj po komponohet dhe po futet në formën më të mirë të mundshme? “Për sa kemi pas kohë në disponim mendoj se nuk është keq. Kuptohet që për një vlerësim me të hollësishëm duhet të presim. Me rëndësi është që futbollistët janë të disiplinuar dhe punojnë me përkushtim”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Tovërlani.  Në dy ndeshjet e para Ferizaj dëshmoi mbrojtje të fortë, ku e vërteton se për 180 minuta pësuan vetëm një gol, por sulmuesit nuk shënuan më shumë se një herë.

“Janë vetëm dy ndeshje dhe prapë po them futbollistët ende nuk e njohin njëri-tjetrin si shumë skuadra që kanë ekipet nga dy tre-vite bashkë dhe bëjnë ndryshime të vogla. E jona është të jemi të përkushtuar dhe me sinqeritet t’i kryejmë detyrat dhe do të vijnë edhe gola më të shumtë”, theksoi “Toki”. 

Image

Tovërlani shprehet se vështirë është të bëhet një vlerësim për dy javët e para se ka rritje apo jo të cilësisë në ligë: “Janë pak dy ndeshje për të vlerësuar ekipet por sivjet shumica e klubeve janë përgatitur më herët dhe janë më serioz rreth organizimeve. Duhet të kalojnë edhe disa javë për të parë më mirë se ku janë ekipet”. Në Ferizaj i madh dhe i vogël kanë një besim tek Afrim Tovërlani, se skuadra do të jetë në mesin e 4-5 skuadrave të para në elitë, për faktin se e marrin parasysh përvojën e madhe si futbollist dhe pastaj edhe si trajner, e shtoni presionin tek ju kjo?

“Jo, jo, nuk e shton, por të jem i sinqertë, duhet vetëm të punojmë dhe të japim secili maksimumin. Nuk kam ardhur të zbuloj ujin e nxehtë në Ferizaj por kam ardhur të bëj punën time në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ta kryej me nder. Sinqerisht nuk merrem me parashikime dhe me llafe të kota”, përgjigjet Tovërlani. Siç dihet Ferizaj paksa me vonesë ka filluar përgatitjet, por ka arritur sadopak të konsolidohet me përforcimet e reja.

Në fakt, çfarë i duhet më shumë në javët në vazhdim në përgjithësi ekipit? “Ende nuk është Ferizaj që dua dhe që dëshirojnë tifozët dhe qyteti. Duhet ende kohë dhe shumë punë për të arritur atë që e dëshirojnë të gjithë. Kjo arrihet më me shumë punë e me pak llafe. Duhet ta kuptojnë të gjithë që ende nuk e kemi një muaj të plotë me ekipin.

Kush nuk dëshiron ta kuptoj nuk lodhna për askënd, por i kryej vetëm punët e mia”, ka thënë kryetrajneri i Ferizajt. Ferizajasit përgatiten për sfidën e radhës në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku ndeshen me Llapin. Tovërlani tha se është një ndeshje e vështirë: “Kemi një javë për t’u përgatitur për Llapin. Na pret ndeshje e vështirë sepse llapjanët kanë skuadër me potencial të madh për titull por sigurt është se nuk udhëtojmë të dorëzuar.  Ne asnjë mënyrë nuk do të jemi inferior ndaj askujt”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat