Trajneri nga Kosova pretendon të nxjerrë nga kriza skuadrën sllovene!

Futboll

Trajneri nga Kosova pretendon të nxjerrë nga kriza skuadrën sllovene!

Nga: Kemajl Goca Më: 28 gusht 2018 Në ora: 18:28
Nebih Zeneli

Nebih Zeneli është një emër i njohur jo vetëm në futbollin slloven! Zeneli me prejardhje nga Kosova është emëruar kryetrajner i ri i skuadrës së Brezhices, anëtare e Ligës së Dytë të Sllovenisë në futboll. Brezhice po kalon periudhë të errët, e cila në katër takimet e para ka po aq humbje dhe është fundosur në renditje (vendi i 16-të) me 0 pikë. Drejtuesit e klubit Brezhice shpresojnë se me Zenelin do të dalin nga kjo krizë e rezultateve.

Megjithatë Zeneli shprehet se e njeh mirë ekipin dhe pretendon të nxjerrë nga kriza e rezultateve. Ai do të debutojë në fundjavë si kryetrajner i Brezhices përkatësisht me 1 shtator kundër skuadrës “Tabor Sezana” dhe kërkon fitoren e parë. Zeneli tha se e pret punë e vështirë, kur kihet parasysh se edhe futbollistët nuk janë mirë në aspektin psikologjik pas këtyre humbjeve. Ai është i vendosur se me punë dhe angazhim gradualisht të ngjiten nga mesi i tabelës së klasifikimit.

“Bota sot”: Cilat janë arsyet që e pranuat detyrën e trajnerit në klubin Brezhice?

Nebih Zeneli: Bordit dhe shumë rreth klubit kanë pas dëshirën që të marrë unë vendin si trajner sepse kam qenë lojtar i këtij kolektivit. Kam punuar në këtë klub me të gjitha gjeneratat dhe tash momentalisht klubi është në Ligën e Dytë të Sllovenisë. Kështu që pas rezultateve të dobëta qysh prej vitit të kaluar dhe sivjet vendosen që të vihem të ndryshimet. Sepse kemi tash edhe sponsorin Treme Catez dhe një kompani zvicerane, e cila edhe merret me transferimin e lojtarëve, ku edhe ata kanë qenë dhe janë pajtuar që unë të jem trajner.

“Bota sot”: Brezhice është në fund të renditjes me 4 humbje rresht, çfarë mund të ndryshoni që të ikni nga zona e rrezikut?

Nebih Zeneli: E di që me pret një punë shumë e vështirë, por për fat të keq unë jam mësuar kështu sepse nuk e kam pas rrugën e lehtë si trajner askund. Andaj nuk me kanë pritur me një rrugë të shtruar me lule si trajner askund, por gjithë ku ka pas vështirësi të mëdha edhe aty kam qenë. Por fal ndihmës së Zotit dhe punës time, aftësitë që kam krijuar si një trajner me veti kam arritur që me suksese t’i kryej detyrat ku do që kam qenë. E di që nuk është lehtë por do të punojmë dhe besoj se së bashku me gjithë udhëheqësinë e klubit që më kanë besuar këtë post do të arrijmë të korrim suksese.

“Bota sot”: Me 1 shtator do të debutoni kundër ‘Tabor Sezana’, a shpresoni në fitoren e parë dhe sa keni njohuri për rivalin?

Nebih Zeneli: Po, sigurisht që na pret një ndeshje shumë e vështirë pas katër humbjeve, ka shumë punë! Por unë besoj në fitore dhe nuk mendoj për humbje kurrë.

“Bota sot”: Si e sheh ligen e dytë, a është shumë e fortë?

Nebih Zeneli: Liga e Dytë është shumë e fortë në Slloveni. Ka lojtarë të ri, ka lojtarë që kanë luajtur në ligën e parë dhe ka të huaj. Ka trajner në ligën e dytë që shumë vite kanë qenë në ligën e parë. Është një ligë shumë interesante.

“Bota sot”: Cilat janë synimet me Brezhicen?

Nebih Zeneli: Momentalisht me këtë gjendje, pra se si është situata, prioritet është të stabilizoj ekipin dhe ngadalë t’i kthehemi fitoreve. Kjo është rëndësia më e madhe dhe më e vështirë, duhet të jemi real. Edhe psikikisht lojtarët duhet t’i ngrisim, të kanë besim në vete sepse e shoh që pas këtyre rezultateve edhe ekipi është në krizë psikologjike. Ka punë shumë, por besoj se do të ja dalim edhe pse do ta kam shumë vështirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat