Policia jashtë stadiumit/ Thirrjes së Gjicit për bojkot, i bashkohet një tjetër president

Futboll

Policia jashtë stadiumit/ Thirrjes së Gjicit për bojkot, i bashkohet një tjetër president

Më: 28 gusht 2018 Në ora: 19:08
Policia jashtë stadiumit/ Thirrjes së Gjicit për bojkot, i bashkohet një tjetër president

Ligji i ri i sportit, miratuar nga Parlamenti në Shqipëri, bëri që ndeshjet e Kategorisë Superiore të startojnë me një risi, ku siguria brenda stadiumeve bëhej me polici private dhe Policia e Shtetit qëndronte vetëm jashtë tyre.

Gjithsesi që në takimin e parë u pa qartë që ky ligj ishte i nxituar për t’u aplikuar në Shqipëri, pasi në stadiumin “Skënderbeu”, tifozëria korçare dhe ajo mike e Partizanit, u përplasën dhunshëm, duke sjellë ndërprerjen e ndeshjes përreth 15 minuta, ndërsa qetësia u rikthye vetëm pas ndërhyrjes së policisë së Shtetit.

Gjatë ditës së djeshme, presidenti i Kukësit, Safet Gjici reagoi zyrtarisht dhe kërkoi bllokim të kampionatit, në rast se Policia e Shtetit nuk rikthehet në stadium, për të siguruar mbarëvajtjen e takimit dhe rregullin në shkallët e stadiumit.

Sipas numrit një të Kukësit, është ende herët që në Shqipëri të sigurohen ndeshjet me polici private dhe se dhuna do të rikthehet sërish, sapo të ketë ndeshje “të nxehta”, mes skuadrash pretendente.

Thirrjes së Gjicit i është bashkuar edhe presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, i cili kërkon gjithashtu kërkon bojkot nga të gjithë, në rast se Policia e Shtetit nuk rikthehet të marrë përsipër mbarëvajtjen e takimeve dhe për këtë rendit dy arsye.

Së pari, sipas Takajt, kostoja e policisë private është shumë e lartë dhe gati-gati e papërballueshme nga presidentët e klubeve të Superiores, që janë edhe organizatorët e takimeve të kampionatit.

Së dyti, presidenti korçar thekson se përtej kostove, policia private nuk ka mundësi të rregullojë mbarëvajtjen e takimeve të mëdha, mes skuadrash që pretendojnë për objektiva madhorë dhe mes tifozërish të zjarrta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat