Prekazi: Çdo ndeshje është kyçe në kualifikimet e Evropianit

Futboll

Prekazi: Çdo ndeshje është kyçe në kualifikimet e Evropianit

Më: 5 shtator 2018 Në ora: 10:46
Naser Prapashtica dhe Rafet Prekazi

Kombëtarja U21 e Kosovës ka vazhduar me përgatitjet për ndeshjen kundër Irlandës. Në stërvitjen që u mbajt në fushën e 2 Korrikut në Prishtinë, përzgjedhësi Rafet Prekazi me ndihmësit, Erdogan Celina e Naser Prapashtica, kishte në dispozicion të gjithë futbollistët, pasi tashmë janë bashkuar me grupin edhe Valmir Sulejmani, Florent Hasani e Mirlind Daku, derisa lajm i mirë për përzgjedhësin Prekazi është fakti që pasdite ekipit i është bashkuar edhe kapiteni Ardian Ismajli, i cili në dy ditët e para ishte i grumbulluar me Kombëtaren A, por me marrëveshje me përzgjedhësin Bernard Challandes, qendërmbrojtësi i spikatur erdhi për ta ndihmuar Kombëtaren U21 në ndeshjen tejet të rëndësishme të së premtes në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Edhe gjatë seancës së sotme vërehej një atmosferë shumë e mirë në ekip, ku të gjithë po punojnë me përkushtim për të qenë sa më të përgatitur për duelin me irlandezët. Për shkak të lëndimit në këmbë Muharrem Jashari ka stërvitur i diferencuar nga pjesa tjetër, me disa ushtrime të lehta nën përkujdesjen e fizioterapeutit Feim Gashi, sikurse edhe sulmuesi Valmir Sulejmani, i cili ka bërë vetëm rixhenerim, pasi ka luajtur një natë më herët me skuadrën e tij. Në seancën e sotme Prekazi u përqendrua në lojën taktike si dhe në fazën sulmuese, derisa forma e lojtarëve është jashtëzakonisht e mirë.

Rafet Prekazi tha se atmosfera është shumë e mirë. “Atmosfera është e jashtëzakonshme dhe djemtë po punojnë me vullnet të madh. Çdo ndeshje është e vështirë dhe kyçe në kualifikimet e Evropianit. Gjithmonë duhet të japësh maksimumin pasi kundërshtarët janë shumë cilësor. Për fat të mirë kjo gjeneratë deri më tash ka treguar lojëra të shkëlqyeshme.

Pres që paraqitje të tillë të kenë edhe kundër Irlandës. Këta djem e kanë obligim që për Kosovën ta japin 120 përqindshin e tyre. Këtu funksionojmë si një familje dhe të gjithë punojmë si grup dhe kështu do t’i qasemi edhe ndeshjes kundër Irlandës”, thotë Prekazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat