Nga Grezda te Vrioni, sekretet e një Federate të çorganizuar

Futboll

Nga Grezda te Vrioni, sekretet e një Federate të çorganizuar

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 12:50
Nga Grezda te Vrioni, sekretet e një Federate të çorganizuar

Në teori është e thjeshtë: lista e kombëtareve publikohet nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe më pas ndryshimet e mundshme për dëmtime sërish bëhen me njoftime zyrtare. Nuk ndodh kështu në Shqipëri, ku Federata nuk e merr mundimin të informojë publikun dhe mediat me ndonjë njoftim zyrtar për lëvizjet në ekipet kombëtare, ndërkohë që edhe listat e lojtarëve të grumbulluar shpërndahen për gazetarët pikërisht kur nis konferenca për shtyp e çdo trajneri, duke mos lënë kohë as të mendohet ndonjë pyetje e të evidentohet mungesa e ndonjë lojtari, shkruan telesport.

Të enjten në mbrëmje Shqipëria U-21 luajti në Spanjë dhe një orë përpara ndeshjes, për çudinë e të gjithëve në formacionin titullar ishte Fiorin Durmishaj, sulmuesi i Panioniosit, i cili nuk ishte grumbulluar fare nga Alban Bushi. 70 minuta për sulmuesin 21-vjeçar, ndërsa Hebaj qëndroi në stol për 90 minuta dhe afrimi i fundit, Giacomo Vrioni, nuk ishte as në stol. Mister më vete mungesa e sulmuesit të Venezia-s, i cili është një talent i madh, por FSHF as që merr mundimin të hedhë dy radhë në faqen e vet zyrtare, ku të njoftojë pse është grumbulluar me urgjencë Durmishaj dhe pse nuk ishte fare Vrioni. Sulmuesi nuk ka pasur pasaportë shqiptare, flitet nën zë, por edhe ky është skandal më vete: si mund të grumbullohet një lojtar pa pasur pasaportë?

Histori e njëjtë me kombëtaren A, sepse çdo ditë bëhen konferenca për shtyp me nga 2 lojtarë që realisht nuk kanë asgjë për të thënë, ndërsa askush nuk njofton që Eros Grezda nuk do të jetë fare në dispozicion të trajnerit Panuçi për ndeshjet e radhës. Në fakt, sulmuesi kuqezi ka disa muaj që është i dëmtuar dhe mungesa e tij ishte logjike, por nëse Panuçi e ka kuptuar që nuk është gati të luajë, sërish do të duhej një njoftim me 1 fjali. Grezda është nisur për në Skoci, pasi pret të bashkohet me FC Rangers, klubi i tij i ri, ndërsa ndeshjet e kombëtares do t’i shohë nga televizioni, ndërsa Panuçi duket se nuk do të imitojë Bushin, sepse nuk do ta zëvendësojë fare ish-yllin e Osijekut. Gjithnjë duke supozuar se trajneri e ka marrë vesh që Grezda nuk është më në ekip...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat