Tite: Brazili po e rimerr veten nga zhgënjimi i eliminimit në Botëror

Futboll

Tite: Brazili po e rimerr veten nga zhgënjimi i eliminimit në Botëror

Më: 8 shtator 2018 Në ora: 11:03
Tite

Tite tha se Brazili është duke u rikuperuar nga “dhimbja” dhe “zhgënjimi” i eliminimit të fundit nga Kupa e Botës në Rusi, pas miqësores kundër SHBA, që e luajti të premten në New Jersey.

Kapiteni i ri i përhershëm, Neymar, dhe Roberto Firmino, ishin autorët e golave, pasi Brazili mposhti SHBA 2-0 në një miqësore ndërkombëtare, në stadiumin “MetLife”.

Brazili ishte favoriti për të fituar Kupën e Botës në Rusi, por gjigandët e Amerikës së Jugut u tronditën nga Belgjika në çerekfinale. Duke folur pas fitores së miqësores, Tite u tha gazetarëve: “Ne po e rimarrim veten nga dhimbja dhe zhgënjimi i eliminimit. Ky eliminim ka një aspekt emocional.

Kjo ishte një ndjenjë që e vumë re kur u takuam me futbollistët. Ne duhet t’i japim Firmino, Douglas Costa, Fred më shumë shanse, pastaj lojtarëve të rinj, por ata që luajtën në fushë kanë nevojë për një analizë të mirë”.

Neymar mbante shiritin e kapitenit, pasi Tite e anuloi politikën e tij të rotacionit në këtë drejtim, pas “Rusia 2018”. Pasi Firmino hapi rezultatin në minutën e 11-të, Neymar dyfishoi epërsinë nga pika e bardhë, duke iu afruar gjysmës së lojës, kur Brazilit iu dha një penallti e diskutueshme. Fabinho u rrëzua në tokë pas një kontakti minimal.

Duke folur për Neymarin, i cili ka kaluar një fushatë të vështirë të Kupës së Botës, duke u kritikuar për ekzagjërim në simulime, Tite shtoi: “Ju do t’i keni sytë gjithmonë te Neymar. Unë dua të flas pak, por jo të jem i ndërlikuar për sjelljen dhe qëndrimet e tij, në mënyrë që ai të rritet gjithnjë e më shumë, pa e humbur guximin”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat