Sqarim i FFK-së para ndeshjes

Futboll

Sqarim i FFK-së para ndeshjes

Më: 10 shtator 2018 Në ora: 16:30
Sqarim i FFK-së para ndeshjes

Federata e Futbollit e Kosovës sqaron opinionin se qysh në fillim të përgatitjeve për ndeshjen Kosova – Ishujt Faroe, në kordinim të plotë me UEFA-n dhe pas kontraktimit me kompaninë për shitjen e biletave të ndeshjes, ka marrë vendim në bazë të ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarje sportive, Ligji nr 05/L-075, neni 10, pika 3, që një personi nuk mund t’i shiten më shumë se 7 bileta. Ditët e fundit ka zëra se persona të caktuar kanë blerë numër më të madh të biletave dhe ato i kanë vendosur në shitje në treg të zi. FFK bën me dije se nuk mban përgjegjësi për shitjen e tillë të biletave dhe fton organet kompetente që të marrin masat e nevojshme që manipuluesit e tillë të vihen nën pranga dhe të dalin para drejtësisë, ngase në këtë mënyrë po i shkaktojnë dëme jo vetëm qytetarëve dhe institucionit tonë, por edhe po krijojnë imazh të keq para opinionit ndërkombëtar. Ne, si Federatë, do të bëjnë çmos që qysh nga ndeshja e ardhshme shitjen e biletave ta bëjmë nëpërmjet sistemit online, në mënyrë që dokuritë e tilla negative të mos përsëriten.
FFK njofton opinionin se përveç biletave që kanë qenë të akorduara për shtëpinë e futbollit dhe pa çmim, asnjë biletë tjerë nuk ka qenë në dispozicion të FFK-së.
Duke iu kërkuar falje të gjithë qytetarëve dhe dashamirëve të vërtetë të futbollit të cilët fatkeqësisht kësaj radhe nuk kanë mundur të pajisen me biletë për të parë Kombëtaren tonë, i lusim për mirëkuptim.
Njëherësh, meqenëse kjo është një ditë e veçantë për të gjithë ne, pasi për herë të parë do të luajmë ndeshje zyrtare në stadiumin “Fadil Vokrri” urojmë të gjithë dashamirët dhe i ftojmë që sonte të kenë anim të zjarrtë por korrekt për t’i dëshmuar botës që kemi kulturë të lartë sportive. Ndërkaq, të gjithë qytetarët që me gjithë dëshirën e madhe që të kenë një biletë por që nuk e patën një mundësi të tillë, urojmë që këtë ndeshje ta shijojnë me familjet e tyre nëpërmjet rrjeteve televizive.

Ju falënderojmë pëzemërsisht në mirëkuptim, me respekt, Agim Ademi, president Federata e Futbollit e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat