De Laurentiis: 250 kilometra larg nga “San Paolo”!

Futboll

De Laurentiis: 250 kilometra larg nga “San Paolo”!

Më: 11 shtator 2018 Në ora: 13:06
De Laurentiis: 250 kilometra larg nga “San Paolo”!

Aurelio de Laurentiis vazhdon të japë deklarata të forta në Itali. Kësaj here shkak për ta lëshuar gojën është bërë gjendja e “San Paolo”. Presidenti i Napolit ka hedhur një ide për t’i zhvilluar ndeshjet e Champions-it në stadiumin “San Nicola” të Barit, 256 kilometra larg nga shtëpia.

“San Paolo” është një makth. Na duhet një numër i madh modifikimesh (ndërhyrjesh) në të, që të përputhet me standardet ndërkombëtare. Ky stadium ka nevojë për dy vjet, për t’ia nënshtruar një reforme të këtij lloji. Është vërtet një turp. Nuk mund të vazhdojmë kështu”, – tha ai në një intervistë me “Il Corriere dello Sport”.

Një vendim që, sipas De Laurentiis, ka efekt të menjëhershëm: “I kam kërkuar UEFA-s të na autorizojë për t’i luajtur ndeshjet e Champions-it në Bari. Jam i gatshëm të paguaj 1.000 autobusë nga xhepi im për t’iu mundësuar tifozëve të marrë pjesë në “San Nicola”. Herën e parë, kur isha aty, konstatova kapacitetin prej 58.270 spektatorësh dhe kuptova se ishte një stadium zotëri. “San Paolo”, i cili është ndërtuar në vitin 1959, nuk i plotëson të gjitha kushtet për ndeshjet e Champions-it. Me të drejtë, kur e panë atë për herë të parë, disa lojtarë tanët donin të largoheshin nga Napoli”.

E vërteta është se udhëtimi nga Napoli për në Bari me rrugë automobilistike nuk është e lehtë. Sipas “Google Maps”, rruga më e shpejtë përfshin 256.9 kilometra dhe mund të përshkohet me makinë për 2 orë e 40 minuta. Një rrugë tjetër alternative është e gjatë 275 kilometra dhe të merr 3 orë e 16 minuta “pas timonit”. Vlen të kujtohet se Napoli është pjesë e Grupit C të Ligës së Kampionëve, bashkë me Liverpool, PSG dhe Crvena Zvezda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat