Një projekt i përbashkët

Futboll

Një projekt i përbashkët

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 19:11
Një projekt i përbashkët

Gjatë një qëndrimi në Obiliq, presidenti i FFK-së, z. Agim Ademi bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Kujtim Gashi dhe nikoqirin kryetarin e komunës së Obiliqit, z. Xhafer Gashi kanë vizituar edhe fushën ku do të ndërtohet Kompleksi nacional i futbollit që është njëri prej projekteve kapitale që e financon UEFA. Me këtë rast Ministri Gashi, tha: “Është një projekt i përbashkët trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Obiliqit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës. Punimet do t’i menaxhojë Federata kurse financimin do ta bëjë  UEFA. Ministria dhe kryetari kanë qenë jashtëzakonisht të përkushtuar që në afat rekord të sigurojmë edhe hapësirën edhe parcelën dhe në të njëjtën kohë të mundësojmë këtë  investim që do të jetë njëri prej investimeve më të mëdha në Komunën e Obiliqit në infrastrukturën sportive dhe natyrisht ky projekt është në kuadër të ngritjes së cilësisë, avancimit të infrastrukturës sportive në Republikën e Kosovës”.

Ai po ashtu falënderoi dhe përgëzoi kryetarin Gashi për përkushtimin e tij për ndarjen e hapësirave të lokacionit për ndërtimin e tri fushave ndihmëse. E nga ana e tij, kryetari Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, falënderoi ministrin Gashi për vizitën e tij. Kryetari Gashi po ashtu foli edhe rreth stadiumit dhe kampit nacional duke falënderuar ministrin për angazhimin si dhe FFK-në që ka zgjedhur pikërisht Obiliqin për të ndërtuar këtë kamp”.

Ndërkaq presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi me këtë rast theksoi: “Falënderimi i takon kryetarit të Komunës dhe asamblistëve të Obiliqit të cilët kanë vendos të japin këtë pronë në shërbim të kampit nacional të futbollit që do të bëhet në koordinim me UEFA-n dhe FIFA-n”. Presidenti  Ademi po ashtu falënderoi edhe ministrin Gashi për angazhimin e tij në krijimin e kushteve për të investuar në infrastrukturën sportive në vend që gjithnjë e më shumë po përmirësohet dhe në një të ardhme të afërt infrastruktura në futboll do të ketë krejtësisht pamje tjetër dhe çështja që dikur ishte thembër e Akilit dhe pikë neuralgjike  e futbollit të Kosovës plotësisht do të zhduket.
Në drekën e përbashkët që patën, enkas për Ministrin Gashi ishte porositur një tortë dhe urim për datëlindjen e tij të 37-të. E presidenti i FFK-së e ka uruar ministrin Gashi që të ketë jetë të gjatë, me shëndet të plotë, harmoni, dashuri, paqe dhe shumë suksese në jetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat