Sfida kryesore Liverpool - PSG

Futboll

Sfida kryesore Liverpool - PSG

Më: 17 shtator 2018 Në ora: 18:27
Sfida kryesore Liverpool - PSG, Mbappe, Salah e Neymar

Liverpool - PSG,  sfida kryesore e xhiros së parë të fazës së grupeve në Champions League në futboll. Nënkampioni i Evropës, Liverpooli, që ka në radhët e veta yllin nga Kosova, Xherdan Shaqiri, pretendojnë ta nisin me tri pikë në përballje me kampionin e Francës, PSG-së. Liverpooli ka përparësinë e fushës, por edhe lojtarë shumë të mirë, kurse PSG shkon me bindje se do ta dalin të pamposhtur, në kuadër të grupit C, ku bëjnë pjesë edhe Napoli dhe Cërvena Zvezda.

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp e ka cilësuar kundërshtarin e ardhshëm si njërin nga favoritët për të Champions Leaguen. Në stadiumin në “Anfield” nesër (21.00) pritet atmosferë e zjarrtë dhe lojë e fortë mes dy gjigantëve. Mohamed Salah me Liverpoolin kundër Kylian Mbappes dhe Neymarit të PSG-së.  “Ata janë një nga të favoritët e kësaj gare”, tha Klopp. “Ne jemi të vetëdijshëm për cilësinë e tyre. Më pëlqejnë këto sfida, por vetëm sepse kam një skuadër vërtet të mirë. Nëse nuk do të isha menaxher, do të shikoja patjetër këtë ndeshje”, ka thënë Klopp. Mbrojtësi i majtë i Liverpoolit, Andrew Robertson, u ka bërë thirrje gjyqtarëve të ndeshjes, që t’i mbajnë një sy kah Neymar, pasi ai di  të simulojë.

“Ajo që di unë është se Neymar është një lojtar i klasit botëror dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj tij. Aftësitë e tij flasin për të. Po, njerëzit thonë se ai rrëzohet lehtë, por kjo nuk varet nga ne. Këtë gjë e vendos gjyqtari. Do të qëndrojmë larg kësaj. Gjëja e keqe për ne është se ata kanë shumë lojtarë që ne duhet të jemi të kujdesshëm. Nga ana tjetër, një gjë e mirë për ne është se edhe ne kemi shumë lojtarë që mund të shkaktojnë probleme”, ka thënë Robertson. Marco Verratti pret që Liverpool të paraqesë një lloj tjetër sfide për PSG në ndeshjen e sotme, ndryshe nga ato që përjeton në Ligue 1. PSG vendosi një rekord të ri të klubit të premten, ndërsa mundi St.Etienne me rezultatin 4:0 në “Parc des Princes”, me Thomas Tuchel duke u bërë trajneri i parë i kryeqytetasve francezë që fiton secilën nga gjashtë ndeshjet e tij të para.

Ky start mbresëlënës do të vendoset në një provë të ashpër në “Anfield”, pasi Liverpool, po ashtu, ka pasur një fillim të shkëlqyeshëm në sezonin e ri të Premier League. Një ritëm të tillë, “Reds” do të kërkojnë ta mbajnë edhe në Europë, pasi shkuan deri në finalen e Champions-it sezonin e kaluar. “Përpara përplasjes me Liverpool është mirë që i kemi fituar të gjitha ndeshjet tona. Megjithatë, me Liverpool do të jetë krejt tjetër, – tha mesfushori italian, Verratti. “Ata kanë një ekip që luan shumë mirë në shtëpi. Kanë edhe përvojë në Ligën e Kampionëve, pasi arritën deri në finalen e sezonit të fundit. Është një provë e rëndësishme për ne, por jovendimtare. Natyrisht, është mirë ta fillojmë mbarë edicionin e ri të Champions-it, sidomos me një lojë të komplikuar”, tha Verrati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat