Alidema: Llapi pretendon Europën!

Futboll

Alidema: Llapi pretendon Europën!

Nga: Kemajl Goca Më: 25 shtator 2018 Në ora: 16:48
Festim Alidemaj

Llapi nga Podujeva i ka mundësitë e mëdha që të ngjitet në kreun e tabelës së klasifikimit në elitën e futbollit të Kosovës. Dy ndeshjet e radhës llapjanët i luajnë në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, kundër KEK-ut, pastaj në javën e tetë e presin Feronikelin nga Drenasi, aktualisht lider i IPKO Superligës. Llapi është në pozitën e dytë me 13 pikë, aq sa ka edhe Flamurtari në vend të tretë dhe ka një me pak se Feronikeli. Fitorja në Prizren me rezultat 3:2 kundër Lirisë, llapjanët i ka trimëruar për në vazhdim të kampionatit, duke përforcuar bindjen e tyre se do të marrin kreun e tabelës. Sulmuesi i Llapit, Festim Alidema, është në formë të mirë dhe zotohet se do të jap edhe atomin e fundit për skuadrën.

Alidema është i dyti në listën e shënuesve me 4 gola, ka dy me pak se Alban Shillova i Flamurtarit. Alidemaj me dy gola ka qenë kreatorë i fitores së Llapit në Prizren ndaj Lirisë.  

Futbollisti tha se çdo ndeshje do të marrin me seriozitet të madh dhe me synime që të mbledhin sa më shumë pikë, me fokus të veçantë që të sigurojnë një vend në kupat evropiane. “Synimet e Llapit për këtë sezon janë të arrijmë të luajmë në Europë dhe të përfundojmë në pozitat e para”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Alidema. Në gjashtë javë e para Llapi ka regjistruar katër fitore, një barazim dhe një humbje. Në fakt, në javën e parë u befasuan në konak të vetin kur pësuan humbje me rezultat 1:0 nga Drenica, kështu që nga ajo javë e këndej nuk njohin humbje. 

Llapjanët janë ekipi më i organizuar në ligë. “Llapin besoj që e veçon organizimi i mirë i klubit po ashtu edhe lojtarët për nga cilësia”, thotë futbollisti. Më tutje Alidema ka përmendur edhe cilat skuadra mund të jenë në garë të fortë për titullin e kampionit: “Besoj që Llapi, Feronikeli, Drita dhe Prishtina kanë skuadra shumë cilësore”. Çfarë i duhet më shumë futbollit në përgjithësi? “Në Kosovë mendoj që na mungojnë kushtet profesionale, fushat në përgjithësi”, përgjigjet ai.

Si sulmues premton të jep sa më shumë gola dhe ta ndihmojë ekipin të jetë në kreun e tabelës: “Unë premtoj që do ta jap maksimumin te Llapi dhe të shënoj gola sa më shumë”. Megjithatë llapjanët nën drejtimin e trajnerit prof. Bylbyl Sokolit përgatiten për sfidat e radhës dhe me synime që t’i marrin pikë të plota, sidomos në dy  ndeshjet në shtëpi të tyre, para se të udhëtojnë për në stadiumin “Fadil Vokrri”, që të ndeshen me Prishtinën, në kuadër të javës së nëntë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat