VAR, në Champions nga 2019! CR7 pret dënimin nga UEFA

Futboll

VAR, në Champions nga 2019! CR7 pret dënimin nga UEFA

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 12:17
Cristiano Ronaldo

Videoarbitrimi, siç është diskutuar prej muajsh, pritet të zbatohet edhe në Champions League.

Për këtë pritet miratimi përfundimtar nga ana e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për futjen e teknologjisë në fushat e blerta, gjë të cilën shumë klube e kanë kërkuar duke ngritur fuqishëm zërat, por që presidenti Ceferin ua preu shpresat gjatë hedhjes së shortit në Montekarlo.

Sipas numrit një të UEFA-s, arbitrat nuk janë ende gati, ndërsa turneu në fjalë nuk garanton impiante dhe struktura të të njëjtit standard, megjithatë, rruga drejt ndezjes së “dritës jeshile” është shumë e pranë.

Ideja që qarkullon në Nion është ajo e nisjes që prej sezonit 2019-2020, duke nisur që nga faza e “play off”-eve të gushtit të ardhshëm, ndërkohë që për Europa League do të duhet të pritet një vit më shumë.

Në fakt, debutimi zyrtar i VAR-it në një kompeticion të UEFA-s pritet të ndodhë në Superkupën e Europës, ndeshje që do të luhet më 14 gusht në Stamboll, edhe pse ekziston mundësia që të afrohet data e debutimit në Europianin e moshave U21, që është programuar të luhet qershorin e ardhshëm në Itali.

Vendimi që do të shënojë një epokë të re pritet ende të detajohet, por e sigurtë është se nuk do të kemi të bëjmë me një seli të centralizuar siç ndodhi gjatë Botërorit të Rusisë, por do të ketë sisteme VAR në çdo stadium të skuadrave pjesëmarrëse në fazën “play off” dhe atë të grupeve.

UEFA do të vendosë këtë të enjte edhe kandidaturën për organizimin e Europianit 2024, turne për të cilin garojnë Gjermania dhe Turqia, por edhe për skualifikimin e pritshëm të Cristiano Ronaldos, i cili u ndëshkua me karton të kuq gjatë ndeshjes me Valencian në ndeshjen debutuese në Champions League me fanellën e Juventusit.

Rregullorja parashikon automatikisht një javë pezullim, por që mund të rëndohet deri në 3 javë, në rastet kur kemi të bëjmë me sjellje të dhunshme. Me të gjitha gjasat, CR7 do të pezullohet me vetëm një javë, për të munguar në sfidën ndaj Young Boys.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat