Totti rrëfen sherret me Spallettin

Futboll

Totti rrëfen sherret me Spallettin

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 15:49
Totti rrëfen sherret me Spallettin

Francesco Totti mbush 42 vjeç dhe e ka festuar me 300 të ftuar në një event të organizuar te Koloseu, aty ku ka prezantuar edhe biografinë e tij, publikuar ditët e fundit. Në festë, të pranishëm shokët e skuadrës te Roma kampione në 2001 dhe tek Italia kampione bote në 2006.

Në festë nuk ishte Luciano Spalletti, pasi trajneri aktual i Inter-it është një armik i betuar i Totti-t, siç tregon vetëm ish-numri 10 verdhekuq, në librin e tij.

Së pari, sherri para Roma-Palermo, në shkurt 2016: “Spaleti më tha: ‘Je si gjithë të tjerët tashmë, harroje ta quash veten të pazëvendësueshëm. Ke gabuar dhe tani do shkosh në shtëpi'”.

Përgjigja e Totti-t ishte e egër: “I pabesë, tani që nuk të duhem më po më çan tr…? Ke një mision, çoje deri në fund”.

Marrëdhëniet mes tyre mbetën të ngrira, derisa në Bergamo, në prill 2016, për pak sa nuk plasi grushti në dhomat e zhveshjes, aq sa të bërtiturat u dëgjuan edhe në dhomën e zhveshjes së Atalanta-s.

Totti tregon: “Gjej surratin e Spalletti-t një centimetër larg simes. Po më priste: ‘Mjaft, më çave tr…, kërkon të komandosh dhe në të vërtetë duhet të largohesh. Luan me letra, edhe pse e kam ndaluar këtë gjë. Me mua e ke mbyllur’. Gjithçka e thënë me zërin në kupë të qiellit. Është sherri i fundit mes nesh, aty më kërcyen edhe mua dhe u deshën 4 persona për të na ndarë, sepse përndryshe do të plaste grushti”.

Ndeshja mbaroi 3-3 dhe Totti u fut 13 minuta para fundit, duke shënuar golin që evitoi humbjen. Pas ndeshjes Spalletti komentoi ftohtë: “Ndeshjen e rregulloi ekipi, Totti shënoi golin. Ai gjuajti në portë, ashtu si ndeshjen e shkuar dha një pasim për gol: po të jepte 3, do shënonim tre gola. Është skuadra që merr rezultat, asnjëherë vetëm një lojtar”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat