Policia në gatishmëri të plotë

Futboll

Policia në gatishmëri të plotë

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 12:30
Policia në gatishmëri të plotë

Policia do të jetë vigjilente, e stacionuar në afërsi të stadiumit “Selman Stermasi”, për të siguruar mbarëvajtjen e derbit të zjarrtë kryeqytetas, që do të luhet sonte, nga ora 19:45, mes Tiranës dhe Partizanit. Ajo do të zbatojë një plan masash të detajuara, për të cilat bën edhe njoftimin përkatës për tifozëtdhe ata që do të duan ta përcjellin “live” derbin e 151-të të kryeqytetit:

“Në zbatim të ligjit Nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, Ligjit Nr. 79/2017, për “Sportet” Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ka hartuar planin e masave për mbarëvajtjen e sigurisë dhe rendit në këtë aktivitet sportiv. Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë në ambientet e jashtme të stadiumit si dhe përgjatë rrugë kalimeve të tifozërive.

Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë në ambientet e brendshme të stadiumit për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e shkelësve të ligjit në ambientet e Policisë për procedim penal apo administrativ.

Do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundraligjshme (si armë apo lëndë piroteknike etj ), si dhe çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen në stadium fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit.

Do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore si dhe bllokime të pjesshme të disa segmeteve rrugore (momenti i kalimit të tifozërive). Segmentet rrugorë që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitet, janë :
– Rruga përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”.
– Rruga “Gjin Bue Shpata”, nga kryqëzimi me Rrugën “Emin Duraku” deri tek kryqëzimi me Rrugën “Sulejman Delvina”.
– Rruga “Emin Duraku”, nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek rruga përball Stadiumit “Selman Stërmasi”.
– Njëra korsi e Rrugës “Sulejman Delvina”, nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri te kryqëzimi me rrugën përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”.

Policia e Tiranës do të lejojë dhe marrë masa mbi grumbullimin dhe lëvizjen e tifozërive në inteneraret si më poshtë:
Segmentet rrugorë ku do të ketë kufizime lëvizje, ose bllokime, nga ora 17:30 – 19:30, gjatë kalimit të tifozërisë së ekipit të “Tiranës”, janë:
Nisja përballë “Teatrit të Kukullave”, përgjatë rrugës “Ibrahim Rugova”, bulevardit “Gjergj Fishta”, rrugës “Sami Frashëri”, rrugës “Pjetër Budi”, rrugës “Gjin Bue Shpata” deri tek stadiumi “Selman Stërmasi”.

Segmentet rrugorë ku do të ketë kufizime lëvizje, ose bllokime, nga ora 18:00 – 19:30, gjatë kalimit të tifozërisë së ekipit të “Partizanit”, janë:
Nisja nga kryqëzimi i Rrugës “Muhamet Gjollesha” me Rrugën “Artan Lenja”, përgjatë Rrugës “Muhamet Gjollesha”, Rruga “Sulejman Delvina” deri te Stadiumi “Selman Stërmasi”.

Policia garanton dhe siguron lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë intenerarit të caktuar. Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozërive respektive në zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat