Ancelotti nuk ka frikë nga Juventusi: Nuk firmos për barazim…

Futboll

Ancelotti nuk ka frikë nga Juventusi: Nuk firmos për barazim…

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 14:42
Ancelotti nuk ka frikë nga Juventusi: Nuk firmos për barazim…

Pak më shumë se 24 orë na ndajnë nga supersfida e stadiumit “Allianz”. Napoli i Carlo Ancelottit është duke u përgatitur të përballet me rivalët e Juventusit. Të shtunën, në orën 18:00, luhet ndeshja e parë e vërtetë e këtij sezoni në Seria A. Sezonin e kaluar, goli “iluziv” i Koulibali i zhyste bardhezinjtë në shtëpi, në ndeshjen e fundit, por nuk u rrëmbente dot titullin e shtatë radhazi.

Nga ai moment, duket se gjithçka ka ndryshuar. Në stolin e Napolit tani është trajneri i lindur në Reggiolo dhe jo Maurizio Sarri. Me këtë lëvizje në drejtim, Napoli ka fituar sigurisht. Renditja pas gjashtë javësh kampionat i sheh liderët e Juventusit në krye, me 18 pikë, ndërsa Napoli pozicionohet i dyti, me 15 pikë. Një diferencë që e ushqen edhe më shumë betejën e madhe të ditës së nesërme.

Në prag të sfidës, trajneri blu ka dalë në konferencë për shtyp nga qendra teknike e “Castel Volturno”. Ndër të tjera ai ka nënvizuar: “Kush fiton? Nuk do të jap asnjë emër. Kemi punuar fort, jemi stërvitur mirë. Problemi i vetëm për këtë ndeshje do të jetë formacioni, i vështirë për t’u përzgjedhur prej meje. Ekipi është mjaft mirë fizikisht dhe i motivuar. Më shumë se 11 lojtarë meritojnë të luajnë kundër Juventusit për atë që kanë treguar në ndeshjet e fundit.

Ky është problemi im. Ekipi motivohet vetvetiu për kësi ndeshjesh. Koulibaly? Ai është një lojtar i madh, ka shumë përvojë dhe një nga më të mirët në botë në rolin e tij. Portierët? Ospina dhe Karnezis janë përmirësuar shumë gjatë kësaj periudhe, më japin të njëjtin besim dhe garanci, prandaj i kam alternuar ato. Ghoulam? Duhet ta ndjekim me kujdes, ai tashmë është rikthyer në fushë dhe po punon individualisht. Po punon për të tonifikuar muskujt.

Mertens? Ai është mirë, me Torinon ishte çelësi i suksesit. Ky i nesërmi është një test shumë i rëndësishëm, për të kuptuar momentin tonë. Për mua jemi mirë, por me Juventusin do të kemi konfirmim të mëtejshëm, ose do të bëjmë një hap të vogël prapa. Jam i sigurt, gjendemi para një kalendari të ndërlikuar, por në kushte optimale. Duhet ta përsërisim veten kundër një ekipi të madh.

Cila do të ishte loja e përsosur për të fituar në Torino? Është ajo, në të cilën posedimi i topit mbahet kaq shumë, ndoshta 95% (qesh). Ne duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi. Pranimi i përsosmërisë nënkupton shprehjen e asaj që kemi përgatitur në stërvitje. Do t’i shpalosim cilësitë tona në fushë. Kush do të shprehet më mirë, ai do të fitojë. Nuk më intereson të di se kush është favoriti apo jo i tillë. Ndeshja vlen 3 pikë, jo më shumë. Ndër të tjera është shumë herët, si periudhë e kampionatit. Pastaj, është e qartë se një fitore do të na jepte entuziasëm, sepse ekipi është i ri.

Nëse do të nënshkruaja për një barazim në Torino? Kurrë nuk e kam bërë këtë në jetën time. Ec përpara në linjën time: nuk duhet të mendojmë për rezultatin. Mendojmë të luajmë mirë, duke përsëritur atë që kemi bërë në ndeshjet e fundit. Vështirësia rritet, është e pashmangshme, do të kemi më shumë presion, por nuk duhet të ndryshojmë mënyrën e të luajturit. Çfarë do të thotë të kthehem në Torino? Është pjesë e së kaluarës, por nuk më shqetëson një gjë të tillë. Ishte periudhë e keqe për rezultatet, por më ndihmoi të rritesha dhe të kuptoja se si punohet në një klub serioz. Nuk e konsideroj atë eksperiencë negative.

Allegri? Ai ka përvojë të madhe, e di mirë se si luajmë dhe çfarë kemi ndryshuar. Nuk mendoj se ka shqetësime të veçanta, tani nuk ka më sekrete në futboll. Një trajner i madh, ekspert dhe praktik, nxjerr më të mirën nga ajo skuadër që ka në dispozicion. Çfarë efekti më jep ritakimi me Ronaldon? Për Cristianon kam mirënjohje të pafund.

Përtej golave që shënonte, kur isha trajner në Madrid, më ka bërë përshtypje me cilësitë e tij njerëzore dhe profesionale. Jam i lumtur që është në Itali, mendoj se është një vlerë e shtuar për futbollin tonë. “Topi i Artë”? Për mua gjithmonë duhet ta fitojë më i miri. Këtë edicion do të ishte mirë nëse shpërblehet Modriç, një lojtar që më pëlqen”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat