Dikur tek Italia, tani në Seria A; Ventura i kthehet në makth De Biazit

Futboll

Dikur tek Italia, tani në Seria A; Ventura i kthehet në makth De Biazit

Më: 1 tetor 2018 Në ora: 16:00
Xhani de Biazi

Frosinone u rikthye në Seria A pas triumfit në “play off” kundër Palermos, por nuk e ka filluar aspak mirë. Pas shtatë javësh kampionat, kjo skuadër gjendet e parafundit në klasifikim, teksa ka marrë vetëm një pikë, në barazimin 0-0 kundër Bologna, dhe ka regjistruar gjashtë humbje. Jo vetëm renditja është kritike, por gjëja më shqetësuese te Frosinone është numri i golave të shënuar dhe atyre të pësuar.

Në fakt, skuadra e trajnerit Longo ka pësuar 18 gola dhe ka shënuar vetëm një të tillë. Më keq nuk ka ku shkon për një skuadër futbolli. Pas ndeshjes së fundit kundër Genoa, Longo, në një konferencë për shtyp, bëri deklarata të forta: “Ata që më njohin e dinë se jam njeriu, që nuk dorëzohet kurrë. Të të njëjtit mendim dua të jenë edhe lojtarët e mi. Sepse, përkundrazi, nëse dikush mendon të dorëzohet, është më mirë që të ngrejë dorën dhe të dalë mënjanë”.

Sidoqoftë, situata duket e komplikuar, edhe pse president Stirpe është i prirur për ta rikonfirmuar trajnerin e datëlindjes 1976 deri në ndeshjen e ardhshme, kundër Torinos. Por, një tjetër humbje do të thotë patjetër shkarkim i tij. Në këtë pikë të gjërave, siç njofton media italiane (La Repubblica), kryqëzohet fati i ish-trajnerit tonë të kombëtares, Xhani de Biazi, dhe ish-trajnerit të Italisë, Giampiero Ventura. Një “deja vu”, e ndodhur edhe më parë, kur të dy teknikët në fjalë garonin për stolin e axurrëve.

Ventura, i sponsorizuar edhe nga Marcello Lippi, ia doli të emërohet në atë post, edhe pse iku me turp, duke e lënë Italinë pas disa dekadash jashtë fazës finale të një Botërori, si “Rusia 2018”. Dje, De Biazi u thirr në “apel” nga media italiane, si njeriu që mund të marrë drejtimin e Frosinones. Por, sot, 60 vjeçarit nga Sarmede, i cili u priu kuqezinjve tanë në kualifikimin historik për në “Euro 2016”, i ka “rënë ndesh” sërish Ventura.

Ky i fundit ka shprehur interesin për t’u rikthyer trajner në Seria A, ka nisur kontaktet me presidentin Stirpe, nuk kërkon shumë financiarisht dhe premton daljen e shpejtë nga situata dhe sigurimin e mbijetesës. Duket qartë se ish-trajneri i Torinos po kthehet në një makth për De Biazin, aq më tepër nëse ia del sërish t’ia “rrëmbejë bukën nga goja”. Stoli i Frosinones është në ankand, por kush do të triumfojë: De Biazi, Ventura, apo dikush tjetër…De Biazit 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat