Wenger rikthehet në stol dhe fiton… trofeun

Futboll

Wenger rikthehet në stol dhe fiton… trofeun

Më: 1 tetor 2018 Në ora: 21:02
Arsene Wenger

Rikthim me… kupë. Arsene Wenger është kthyer në stol dhe në rastin e parë që ka patur ka ngritur në qiell një trofe. Evenimenti, një takim bamirësie i organizuar nga “Nwankwo Kanu Heart Foundation”, ka kthyer trajnerin francez në stolin e një skuadre futbolli pas lamtumirës së dhënë Arsenal-it majin e kaluar. Përballë kanë qenë skuadrat e Premier League Masters XI dhe African Masters, me të parët që janë drejtuar nga Wenger dhe kanë fituar 9-4.

Në “Hive Stadium”, aty ku është luajtur ndeshja e bamirësisë, ka qenë një pjesë e rëndësishme e historisë së Arsenal. Jo vetëm Arsene, në rolin e trajnerit, por edhe Kanu, Campbell, Pires, Lehmann, Eboue, Kolo Toure dhe Gallas, në fushë. Të gjithë lojtarë që kanë jetuar, pak a shumë, një pjesë të rëndësishme të karrierës në “Highbury” dhe “Emirates Stadium”. Të gjithë nën urdhrat e Wenger.

Ka qenë një kthim në stol me trofe. Tekniku francez, i cili ka fituar 17 tituj në 22 vitet e kaluar në drejtim të “Topçinjve”, është kthyer të ngrejë një kupë pas 2017-ës, viti i suksesit të tij të fundit me Arsenal, kur ka mundur 2-1 Chelsea-n në finalen e Kupës së Anglisë. Fitorja, edhe pse është bërë fjalë për një ndeshje bamirësie, ka kthyer Wenger në faqet e gazetave sportive. Trajneri, edhe pse pa ekip tashmë, vazhdon të jetë një figurë e rëndësishme në panoramën e futbollit europian, dhe do të ishte e gabuar të konsiderohej një ish-trajner.

Këtë e ka konfirmuar vetë Wenger, i cili ka pranuar se “kam patur më shumë oferta nga sa mund të kisha menduar”. Ndoshta ky rast ka qenë një provë e përgjithshme për francezin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat