Juventus kalon me lehtësi Young Boys, City vuan, por fiton

Futboll

Juventus kalon me lehtësi Young Boys, City vuan, por fiton

Më: 2 tetor 2018 Në ora: 20:49
Paolo Dybala

(E plotësuar) - Juventus vazhdon të fitojë dhe duket se nuk ka ndërmend të ndalet. Bardhezinjtë, pas fitores së rëndësishme të marrë në kampionat kundër Napoli-t, kanë mposhtur me rezultatin 3-0 skuadrën e Young Boys në javën e dytë të Champions League.

Takimi i luajtur në “Allianz Stadium” ka patur një histori të shkurtër, me zviceranët që kanë rezistuar vetëm pesë minuta lojës para se të ndëshkoheshin nga Paulo Dybala. Argjentinasi ka marrë një pasim të bukur nga Bonucci dhe ka dërguar topin në rrjetë me një goditje po aq të bukur fluturimthi me të majtën.

Vendasit kanë dyfishuar avantazhin në minutën e 33-të dhe autori ka qenë përsëri Dybala, i cili ka qenë në vendin e duhur në momentin e duhur, kur portieri i miqve ka devijuar goditjen e fortë të Matuidi, duke e dërguar topin në këmbët e sulmuesit bardhezi, i cili ka shënuar me portën e boshatisur.

Qershia mbi tortë për yllin e Juventus ka ardhur në minutën e 69-të, kur ka realizuar edhe golin e tretë personal dhe të tretin për torinezët. Edhe ky ka qenë një gol i lehtë për yllin e “Zonjës”, i cili ka shënuar përsëri me portën e boshatisur pas një asisti të Cuadrado. Young Boys e ka mbyllur me 10 lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Camara.

Juventus ka shkuar në 6 pikë me ketë fitore dhe kryeson e vetme Grupin H, në pritje të ndeshjes që do të luhet në “Old Trafford” mes United dhe Valencia. Ka qenë një tjetër paraqitje bindëse për skuadrën e Allegri-t, i cili nuk ka patur në dispozicion as CR7, që ka qenë i skualifikuar. Por kujt i duhet Ronaldo me një Dybala në formë të tillë?

Image

City vuan, por fiton në fund falë “vjedhjes” së David Silva-s

Manchester City ka vuajtur për të gjetur golin e fitores por në fund gjithçka ka shkuar mirë teksa anglezët kanë mposhtur Hoffenheim me rezultatin 2-1. Ishte një fitore jetike për Qytetarët pas disfatës në ndeshjen e parë ndaj Lyon. Një start makthi për të besuarit e Pep Guardiola-s. Vendasit kaluan në avantazh që në minutën e parë falë ish-lojtarit të Inter, Ishak Belfodil. Por City reagon menjëherë duke barazuar rezultatin në minutën e 8’.

Leroy Sane jep një pasim të bukur për Sergio Aguero i cili me portën e boshatisur shtyn topin në rrjetë. Padyshim që City është ekipi që mundohet të bëjë diçka teksa Hoffenheim mbrohet mirë dhe tenton të rrezikojë me kundërsulme. Sterling dhe Aguero mund të kishin kaluar në avantazh Qytetarët, por tentativat e tyre nuk ishin të suksesshme.

Pas pushimit City rrit presionin ndaj Hoffenheim duke krijuar përsëri mundësi të mira për golin e dytë, por sulmi i miqve sërish tregohet i pasaktë përpara portës së gjermanëve. Por në minutën e 84’ City më në fund ka shënuar golin e shumëkërkuar dhe të merituar. David Silva vjedh një top brenda zonës dhe mposht portierin me një goditje të klasit të lartë. City merr një fitore të merituar.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat