Djaloshi i lindur në Ferizaj, refuzoi klubin e madh anglez, sot te Shqipëria

Futboll

Djaloshi i lindur në Ferizaj, refuzoi klubin e madh anglez, sot te Shqipëria

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 10:20
Egli Kaja

020… Prefiksi i Londrës. 21 vjeç… mosha e futbollistit “risi” të Shqipërisë, Egli Kaja.

Në mes, viti i datëlindjes së tij, 1997. Pikërisht kur në Shqipëri kishte nisur një luftë civile e përgjakshme mes bandash dhe një shteti të gjunjëzuar, në Ferizaj vinte në jetë ai që sot do të përfaqësojë ngjyrat kuqezi.

Dhurata i ka ardhur nga Italia, aty ku Christian Panucci ka shkruar edhe listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e tetorit, miqësorja me Jordaninë dhe ndeshja zyrtare me Izraelin, e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Nuk e dimë nëse atë ditë, në Gllasgou, vetëm 46 km larg Livingstonit, Egli Kaja ishte i pranishëm në stadiumin “Hampden Park”, por e sigurt është që ai udhëtim i kuqezinjve në Skocinë e largët padiskutim që ishte dhe mundësia e trajnerit Panucci që të fliste personalisht me djaloshin e talentuar.

“Jam krenar që do të përfaqësoj Shqipërinë. Eshtë një ëndërr që realizohet”, ka qenë postimi i futbollistit që ka lindur në Kosovë por është transferuar familjarisht në Londër.

Aty ku nisi edhe gjithçka për të! Një histori ose përrallë, le të quajmë. Sepse, nuk të ndodh çdo ditë që Chelsea të kërkojë për një provë, por të refuzosh sepse preferon AFC Ëimbledon, klubin londinez që ruajti historinë, ngjyrat dhe identitetin, duke mos u dorëzuar përpara kërkesave të biznesmenit që do t’i merrte lojtarët dhe çdo gjë, duke u transferuar në Dons (skuadra tjetër që lindi nga Wimbledon, MK Dons).

Por, nuk ishte vetëm Chelsea i interesuar. Në fakt, në po atë kohë, djaloshi refuzoi të shkonte edhe në Milano për të nënshkruar me të rinjtë e Milanit, pasi bëri dhe një provë. Shkak, distanca dhe universiteti që po ndiqte, ku fitoi bursën.

Edhe pse rritja e Kajës erdhi në Akademinë e Kingstorian, në krahinat e Londrës, sigurisht thirrja e AFC Wimbledon ishte tepër e fortë për të. Natyrisht, ende jo gati, edhe për kategoritë e ulëta, huazimi te Lewes në kategorinë semiprofesioniste, edhe pse për vetëm pak kohë, i dha mundësi shqiptarit që të rritej edhe më shumë.

Deri kur, në korrik, trokiti Livingston, skuadër e Skocisë Premier League. E nëse në Skoci një tjetër futbollist i listës së Panuçit (Eros Grezda), nuk ka debutuar ende me Rangers, Kaja ka zbritur në fushë katër ndeshje me Livingston.

Kaja është gati. Një “londinez” atipik, që tashmë pret të luajë me Shqipërinë, “një ëndërr dhe krenari”, siç e quan ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat