Paul Pogba është vendosur në qendër të vëmendjes së mediave dhe kësaj here jo për shkak të marrëdhënies aspak të mirë me trajnerin Jose Mourinho, por për deklaratën e tij.
Në përfundim të ndeshjes me Valencian, e cila u mbyll në barazim pa gola, 25-vjeçari ka deklaruar se e ka të ndaluar që të flasë përpara gazetarëve.
“Më kanë thënë se nuk më lejohet të flasë”, tha Pogba.
Siç shkruan, Goal.com, një vendim i tillë është marrë nga drejtuesit e klubit për të shmangur debatet në dhomat e zhveshjeve, nisur edhe nga raporti “në krizë” që është mes tij dhe portugezit.
Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që francezit i është ndaluar që të flasë për mediat. Ai e kishte lënë të nënkuptuar se nuk mund të fliste hapur për atë që mendonte që në fillim të sezonit, i cili kur u pyet nga gazetarët nëse dëshira e tij ishte të largohej nga Manchester United, iu përgjigj: Nuk mund ta them mendimin tim, sepse përndryshe do të gjobitem.
Megjithatë, Paul Pogba di si të tërheqë vëmendjen dhe të shndërrohet në lajm, edhe kur ia ndalojnë të flasë.