Interi ka arritur fitoren e dytë radhazi në grupet e Ligës së Kampionëve.
Zikaltërit triumfuan me rezultatin 2-1 ndaj skuadrës së PSV Eindhovenit në dhe vazhdojnë të jenë në krye të grupit bashkë me Barcelonën, me nga gjashtë pikë secila.
Trajneri Luciano Spalletti nuk e fshehu gëzimin në përfundim të takimit dhe pranoi se skuadra e tij kishte luajtur vërtetë mirë mbrëmjen e të mërkurës, duke merituar tri pikët e marra.
“Duhet t’u jap komplimente lojtarëve, pasi e interpretuan në mënyrë perfekte sfidën”, tha Spalletti.
“PSV-ja është një kundërshtar që mund të sulmojë në shumë mënyra, ndaj u detyruam të bëjmë një ndeshje të kujdesshme, por mbi të gjitha më pëlqeu reagimi pas golit të pësuar”.
Radja Nainggolan dhe Mauro Icardi ishin autorët e golave për zikaltërit, teksa Spalletti duartrokiti lojën e mesfushorit belg dhe bëri disa sugjerime për kapitenin e Interit.
“Nainggolan ishte vërtetë i jashtëzakonshëm, ai që ne kemi njohur prej vitesh. Mauro është një “vrasës” perfekt në zonën e rreptësisë, por ndonjëherë duhet të angazhohet më shumë në lojë, ashtu si në 10 minutat e fundit të sfidës ndaj PSV-së”, theksoi ai.