Prekazi: Kosova është tokë e talenteve

Futboll

Prekazi: Kosova është tokë e talenteve

Nga: Kemajl Goca Më: 5 tetor 2018 Në ora: 13:42
Rafet Prekazi

Kombëtarja e Kosovës U-21 ka mahnitur gjithë Evropën me rezultatet e arritura në grupin 5-të të kualifikimeve për Kampionatin Evropian U-21 në futboll. Në një grup jashtëzakonisht të fortë, me Gjermaninë, Islandën, Izraelin, Norvegjinë dhe Azerbajxhanin, të renditesh në pozitën e katërt me 12 pikë, dy me pak se norvegjezët në vend të dytë dhe se islandezët të 3-tit, gjithsesi se është një sukses i madh. Debutim i shkëlqyeshëm i Kosovës U-21 dhe kjo meritë pa dyshim se i takon përzgjedhësit Rafet Prekazi!  Puna e Prekazit me bashkëpunëtorët e tij dha fryt dhe ishin arrë e fortë për çdo kombëtare.  

Prekazi i takon gjeneratës së artë të KF Prishtinës në vitet e 80-ta, një periudhë të gjatë luajti në Trepçë, dhe përvojën e tij tani e bartë të djelmoshat e rinj. Prekazi është një nga trajnerët e radhë që flet pak dhe do shumë punë. Ai Kosovën e quan si tokë të talenteve. “Duhet mu mburrë me këtë gjeneratë që kemi, me lojërat e mira dhe sjelljet të mira të tyre. Shumë talent prej këtij vendi shkuan në Evropë dhe kjo tregon për cilësitë e tyre. Unë me Shtabin Teknik dhe e gjithë Kosova është krenarë për këtë gjeneratë që kemi”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Prekazi.   Kosova U-21 është në ndërrim të gjeneratash, një fazë e mundimshme por Prekazi beson se do të arrijnë t’i përzgjedhin më të mirët. “Tash duhet t’i japim rast të rinjve dhe gjeneratës për vitin e ardhshëm.

Image

Është një ndërrim gjenerate, megjithatë jemi në rrugë të mirë. Me ndërrim gjeneratash duhet me u munduar me punuar sa më shumë. Sepse vetëm tre i kam marrë të vitit 1996, si Ardian Ismajli etj. të tjerët janë 1998 dhe 1999 ose 80 për qind e vitit 1998-99, me vone edhe dikush nga U-19 do të përfshihet, pra e gjitha do të shkojë në mënyrë zinxhirore. Ka material por duhet me punuar, të jemi me këmbë në tokë, ka shpresa apo talent të shumtë”, thotë Prekazi, që beson se do të përgatis kombëtaren sa më mirë për takimin e fundit kualifikues, kundër Izraelit U-21.  “Jemi në grupin më të fortë në Europë. Luajmë për lojë të mirë dhe për rezultate. Asnjë skuadër nuk ka qenë dominuese ndaj nesh, kjo më gëzon shumë”, tha më tej përzgjedhësi.

Prekazi tha se shumë lojtarë nga U-21 kanë shkuar në kombëtaren A, si Celina, Rashica etj. “Ky sukses nuk është vetëm i imi, është meritë e gjithë stafit tim”, shtoi Prekazi. “Ky është ndërrimi i gjeneratës dhe dyert janë të hapura për të gjithë ata që e meritojnë dhe duhet t’i japin rastin të rinjve. Para dy-tri viteve kam thënë se pa punë nuk ka asgjë, duhet vetëm punë. Jam optimist, se Kosova ka talent dhe është tokë e tyre, vetëm na duhet punë e madhe”, përfundoi Prekazi. Grumbullimi i futbollistëve të Kosovës për Izraelin do të bëhet më 9 tetor në hotel “International Prishtina”, derisa stërvitja e parë do të mbahet në fushën “Top Football” në Mazgit, në orën 15:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat