Osmani flet pas barazimit me Renovën: Një situatë jo e mirë

Futboll

Osmani flet pas barazimit me Renovën: Një situatë jo e mirë

Më: 7 tetor 2018 Në ora: 12:29
Osmani

Trajneri Qatip Osmani ka pranuar se performanca e Shkëndijës nga Tetova nuk ishte mjaftueshëm e mirë për të shkuar më shumë se barazimi 2:2 përballë Renovës në takimin e javës së 9-të në LPFM. Kuqezinjtë nisën mirë ndeshjen kur avancuan në pjesën e parë me anë të Ibraimit, mirëpo në start të fraksionit të dytë Stojanovski në harkun kohor prej dy minutave realizoi për përmbysje të rezultatit në 1:2. Disfata u shmang me një super gol të Egzon Bejtullait dhjetë minuta para fundit edhe pse Shkëndija deri në fund kërkoi me të gjithë forcat fitoren që mungon tashme prej tre xhirove në kampionat.

“Tre ndeshje pa fitore është një situatë jo e mirë dhe ne duhet të reagojmë. Në takimin e sotëm patëm penalti, patëm disa raste, në pauzë shkuam me epërsi 1:0. Në vazhdim pranuam shumë shpejt dy gola të lehtë dhe nuk arritëm të kthehemi ashtu si duhet. Ky rezultat tregon se Shkëndija është jashta formës dhe nuk duhet të luajë kështu”, deklaroi Osmani.

“E kam cekur edhe më parë se ndjehet një lodhje dhe tash evidente është se përveç rezultateve kemi krizë edhe në lojë. Sigurisht se përgjegjësia në këto raste shkon te trajneri dhe përgjegjësia për mungesën e rezultateve ndoshta fajtori më i madh jam unë”, tha Osmani, që vijoi se është u munduar në të gjitha mënyrat për të nxjerrë skuadrën nga situata momentale.

“Prej humbjes me Pobedën jam munduar të ndryshoj diçka edhe në sistem edhe në formacion, por si duket ndoshta ende nuk kam gjetur formulën e vërtetë. Kështu që me kalimin e kohës besoj se Shkëndija do të kthehet në nivelin e duhur të cilin të gjithë e dëshirojmë”, përfundoi Qatip Osmani.

Duke pasur parasysh pauzën dy javore në kampionat shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese, pas takimit të sotëm stafi teknik u ka dhënë futbollistëve tre ditë të lira. Skuadra rikthehet në stërvitje të mërkurën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat