Luftë për një pikë, Kamza dhe Flamurtari dhurojnë spektakël

Futboll

Luftë për një pikë, Kamza dhe Flamurtari dhurojnë spektakël

Më: 7 tetor 2018 Në ora: 16:06
Kamza vs. Flamurtari

Kamza e Flamurtari kanë barazuar 2-2, në një ndeshje të çmendur, me gola, raste, përmbysje e gabime pa fund në të dy krahët. Në 45 minutat e para ishte një ndeshje e bukur, por edhe me shumë gabime nga të dyja krahët. Flamurtari e nisi keq, duke u befasuar nga një kundërsulm perfekt i Kamzës, me Frashërin që krosoi bukur në zonë dhe Plaku me një kërcim të bukur goditi dhe me kokë gjeti trekëndëshin e djathtë të portës së mbrojtur nga Enea Koliçi.

Goli i dha entuziazëm Kamzës, por në minutën e 20-të Hektor Idrizaj doli për dëmtim dhe Duro befasoi, duke futur Zisin, anësor ofensiv që e bëri skemën e Kamzës dukshëm sulmuese, por krijoi edhe boshllëqe pas. Mbrojtës i majtë kaloi mesfushori Orelesi dhe në minutën e 23-të Batha e befasoi, duke u futur në zonë dhe duke pasuar për Bushiç, i cili nuk fali.

Pas barazimit ishte Flamurtari ekipi më i qartë në fushë dhe rastet për shënim nuk munguan, edhe në kundërsulm Kamza ishte e frikshme, sidomos nga krahu i majtë, duke e vënë në siklet Mustën, i pambështetur nga Danilo Alvesh. Braziliani është ende shumë larg formës së sezoneve të shkuar, sepse gaboi pa fund edhe në zonën kundërshtare.

Pjesa e dytë nisi me Kamzën shumë të rrezikshme dhe Roloviç krijoi panik në zonën vlonjate, por gol nuk erdhi, herë për meritë të Koliçit e herë për pasim të gabuar final.

Megjithatë, në mbrojtje Kamza kishte shumë probleme dhe një goditje këndi krijoi panik në zonë, me Mustën që më një goditje të fortë shënoi golin e dytë vlonjat. Goli tronditi Kamzën, që në vazhdim sulmonte pa qartësi dhe ia bëri të lehtë punën mbrojtjes vlonjate, edhe pse rreziqet nuk munguan dhe me pak kujdes Plaku me shokë mund të shënonin.

Kapiteni i Kamzës ishte luftëtari i fundit që u dorëzua, sepse 10 minuta para fundit me një predhë nga distanca futi në krizë Koliçin, i cili grushtoi me vështirësi. Pikërisht kur dukej se Kamza po dorëzohej, erdhi dhe goli i barazimit. Një kundërsulm i shpejtë, Roloviç i vetëm afër vijës fatale nuk mund të gabonte, 3 minuta para fundit. Me entuziazmin e golit, Kamza u hodh e gjitha përpara, por gol nuk pati më, edhe pse në shtesë Plaku me kokë mendoi se shënoi, por Koliçi ishte perfekt. Barazim 2-2 dhe shumë keqardhje, në të dy krahët, për gabimet e shumta mbrojtëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat