Barcelona në krizë të rezultateve!

Futboll

Barcelona në krizë të rezultateve!

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 18:53
Barcelona në krizë të rezultateve!

Sevilla është lider i ri në Kampionatin e Spanjës në futboll. Skuadra ka befasuar të gjithë, duke e kryesuar renditjen me 16 pikë dhe lënë pas gjigantët, si Barcelonën me 15 pikë, Atletico Madridin 15, Real Madridin 14, Espanyolin 14, Alavesin 14 pikë etj. Barcelona dhe Real Madridi po kalojnë një periudhë të vështirë në kampionat, duke befasuar të gjithë. Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, është në një situatë të pakëndshme. Ai thotë se Barcelona “është duke notuar gjithnjë kundër rrjedhës”, pasi barazoi të dielën me rezultat 1:1 në La Liga, kundër Valencisë.

Skuadra katalanase tashmë ka katër ndeshje në kampionat pa fitore. Ishte sërish Lionel Messi, ai që evitoi me të keqen në “Mestalla”, teksa me golin e shënuar barazoi shifrat 1:1 dhe iu dha të tijve një pikë. “Ekipi ka dalë në fushë me mentalitetin e duhur, ashtu si katër ditë më parë, kur bëmë një paraqitje ideale. Fatkeqësisht, pësuam gol qysh në minutën e dytë. Kjo mund të ndodhë, edhe pse stërvitemi për të kundërtën, por janë rrethana në futboll, asgjë më shumë.

Është e vërtetë që këtë sezon kemi këtë dinamikë, gjithmonë duhet ta nisim nga disavantazhi. Duket se gjithmonë notojmë kundër rrjedhës, por e dimë se situata do të ndryshojë. Kishim luajtur katër ditë më parë, ndërsa Valencia kishte pesë ditë në dispozicion për ta përgatitur ndeshjen. Kur kundërshtari kthehet mbrapa dhe mbrohet mirë, gjithçka bëhet e vështirë”, ka thënë Valvderde. 

Barcelona nga tetë ndeshje ka 4 fitore, 3 barazime e 1 humbje në kampionat, një bilanc aspak i mirë, kur merret parasysh cilësia e tyre ndaj skuadrave tjera.  “Valencia ishte duke pritur për një gabim, për ta kapur në befasi mbrojtjen tonë. Mendova se mund ta zgjidhnim situatën me lojtarët që kishim në fushë. Ishte një lojë e vështirë, si gjithmonë këtu. Goli na habiti pak, por Valencia kishte edhe dy-tri raste të mira. Në përgjithësi, ne dominuam në lojë. Kundërshtari kapitalizoi një gabim tonin. Natyrisht, do të kishim dashur të fitonim”, thotë Valverde.  Me një fjalë, Barcelona po kalon një periudhë të krizës së rezultateve në kampionatin spanjoll.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat