Kosova e mbylli fazën e kualifikimeve me pikë të njëjta me Irlandën

Futboll

Kosova e mbylli fazën e kualifikimeve me pikë të njëjta me Irlandën

Më: 9 tetor 2018 Në ora: 11:03
Kosova e mbylli fazën e kualifikimeve me pikë të njëjta me Irlandën

Kombëtarja e Kosovës U19 – femrat e ka mbyllur  me fitore fazën e kualifikimeve të grupit 9 për Evropianin “Skocia 2019”. Në ndeshjen e fundit, vashat tona e kanë mposhtur Estoninë, me rezultat 5:1, epilog ky i cili fillimisht u mendua se do t’i mjaftonte të përzgjedhurave të Kushtrim Munishit kualifikimin tutje si skuadra e dytë më e mirë e vendeve të treta në grupe. Mirëpo, disa orë pas përfundimit të ndeshjes nga selia e UEFA-s nuk është konfirmuar kualifikimi ynë dhe është bërë me dije se vetëm pas përpilimit të tabelës shtesë me skuadrat më të mira të vendeve të treta do të dihen edhe dy kombëtaret që do të kualifikohen në rrethin elitë. Në fakt, Kosova e mbylli fazën e kualifikimeve me pikë të njëjta me Irlandën e Veriut, por falë goladallimit nikoqirja e këtij grupi përfundoi në pozitën e dytë.
Paraqitja e vashave tona në ndeshjen kundër Estonisë ishte e shkëlqyeshme, duke e mbizotëruar lojën që nga fillimi e deri në fund, madje sikur të kishin pak më shumë fat, fitorja do të ishte me rezultat edhe më bindës. Kosova kaloi në epërsi në minutën e 11-të me golin e shënuar nga Flaka Asllanaj. Dy minuta më vonë Leonora Ejupi e pati një mundësi të mirë, por gjuajtja e saj shkoi mbi portë. Në minutën e 18-të estonet i barazuan shifrat, me golin e Riin Satsi, e cila shfrytëzoi një dëbim të topit nga ana e portieres Erda Podvorica.

Megjithatë, ky gol nuk e zmbrapsi dëshirën dhe vullnetin e madh të vashave tona për të ndjekur fitoren me katër gola epërsi. Reagimi i ekipit tonë erdhi shumë shpejt, kur Diellza Hyseni e riktheu epërsinë në minutën e 24-t me një gjuajtje nga krahu i majtë. Goli i tretë për erdhi në minutën e 42-të, kur topin e dëbuar nga shtylla pas gjuajtjes së Kaltrina Biçkajt e shfrytëzoi mjaft mirë Fleta Musaj, që e plasoi topin në rrjetë për 3:1. Edhe pjesën e dytë Kombëtarja jonë e nisi me entuziazëm të madh, por nga dëshira për të shënuar sa më shpejt vashat dështuan në disa raste. Sidoqoftë, goli i katërt erdhi në minutën e 66-të, kur sulmuesja e shkathtë Flaka Asllanaj shënoi nga brendësia e zonës. Dhjetë minuta më vonë Kaltrina Biçkaj shënoi golin e pestë, duke vulosur shifrat e kësaj ndeshjeje, 5:1. Në minutat e mbetura vashat tona krijuan edhe disa raste të mira, por në një rast golin Kaltrina Biçkajt ia mohoi shtylla, derisa në disa raste nuk ishin sa duhet të sakta para portës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat