Hysaj: Nuk çmendemi në lojë, kur Panucci na e ndryshon pak taktikën

Futboll

Hysaj: Nuk çmendemi në lojë, kur Panucci na e ndryshon pak taktikën

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 14:55
Elsied Hysaj

Elsied Hysaj është zgjedhur njëri nga zv.kapitenët e kombëtares. Ai ka dalë në konferencë për shtyp mesditën e sotme, ku ka folur për barazimin e djeshëm ndaj Jordanisë, në “Elbasan Arena”, ku vetë nuk luajti, por edhe për sfidën e së dielës, në Izrael. Ndër të tjera, shkodrani kuqezi nënvizoi:

“Trajneri ka të drejtë që nuk më aktivizoi dje, pasi te Napoli kemi pasur shumë ndeshje këtë periudhë. Duhej të luajnë edhe të rinjtë, pasi në këto ndeshje duhen parë edhe ata. Bëri mirë që disa lojtarë i la pushim.

A u ndje mungesa e krosimeve të mia? Lojtarët që ishin në fushë dje luajtën mirë. Të dielën, unë do të jap maksimumin, siç kam bërë gjithmonë në kombëtare. Shpresoj të luajmë mirë dhe të bëjmë ndonjë gol për të vazhduar rrugën tonë. Besoj se ndaj Izraelit mund t’ia dalim. Dje ishte e vështirë, Jordania u mbyll mbrapa, por treguam karakter. Për punë centimetrash nuk hyri goli.

Ku ndryshon kombëtarja e sotme me atë që fitoi 3-0 në Izrael? Nuk mendoj se ka shumë ndryshime, grupi i lojtarëve të asaj ndeshjeje është edhe tani, pak a shumë. Fituam 0-3, por vinim nga humbja me Luksemburgun. Besoj se jemi gati për ta luajtur si duhet ndeshjen e së dielës.

A është ende e paqartë skuadra? Jemi lojtarë profesionistë, ne nuk është se çmendemi në lojë, kur na ndryshojnë pak taktikën. Të gjithë luajmë në kampionate të mëdhenj. Thjesht, na duhen 2-3 ditë që të kuptojmë si të japim më të mirën në fushë.

Mungesat e Cikalleshit, Sadikut etj? Ata janë lojtarë të mirë, dihet që na mungojnë, por ka edhe lojtarë të tjerë, që mund të bëjnë mirë, dhe e kanë treguar veten edhe atje ku luajnë. Në sulm, fjala vjen, kemi Manajn dhe Balajn”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat