Challandes: Ne do ta luajmë lojën tonë edhe pse jemi si mysafirë

Futboll

Challandes: Ne do ta luajmë lojën tonë edhe pse jemi si mysafirë

Më: 13 tetor 2018 Në ora: 23:13
Bernard Challandes dhe futbollisti Herolind Shala

Pasi kanë arritur në Ishujt Faroe, përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes dhe futbollisti Herolind Shala dolën në konferencën për media para ndeshjes të së dielës.

Selektori Challandes ka thënë se si përzgjedhës asnjëherë nuk e bën të ditur përbërjen e ekipit.

“Ndonëse, Ishujt Faroe luajnë në shtëpi, ne do ta luajmë lojën tonë dhe nuk do të ndryshojmë  asgjë. Në ndeshjen e kaluar kemi luajtur me topa të gjatë, por ky nuk ishte problemi, por problemi kishte se patëm shumë futbollistë në 16 metërshin e kundërshtarit”, është shprehur Challandes në konferencë.

Zvicerani ka folur edhe për mundësinë që ka Kosova, për t`u kualifikuar në Ligën e Kombeve.

“Jemi në gjysmë të kualifikimeve dhe siç kam thënë disa herë secili ekip i ka gjasat e veta. Për mua është që të funksionojë grupi e jo individi. Kemi zëvendësues për futbollistët që do të mungojnë dhe kjo është puna ime të gjejë përbërjen sa më të mirë”, ka shtuar selektori i Kosovës.

E mesfushori Shala, ka thënë se nuk paraqet problem fusha sintetike pasi shumica e lojtarëve kanë luajtur në fusha të tillë.

“Nuk do të ndjejmë presionin, sepse ne do ta zhvillojmë lojën tonë dhe duhet të angazhohemi që të fitojmë pikët e plota për ta ruajtur kryesimin”, ka thënë Shala para gazetarëve.

Ndeshja, Ishujt Faroe – Kosova zhvillohet të dielën me fillim nga ora 18:00, kurse në ndeshjen e parë si vendas Kosova e kishte mposhtur skuadrën e Ishujve Faroe 2 me 0, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat