Mehmedi: E kisha ëndërr ta kem fanellën e tij

Futboll

Mehmedi: E kisha ëndërr ta kem fanellën e tij

Nga: Reshat Ibrahimi Më: 14 tetor 2018 Në ora: 15:10
Mehmedi: E kisha ëndërr ta kem fanellën e tij

Reprezentacioni i Maqedonisë në futboll mbrëmë në stadiumin “Filipi i Dytë” në Shkup deklasoi Lihtenshtajnin me rezultat 4:1, në ndeshjen e tretë kualifikuese të Ligës së Kombeve.
Pas përfundimit të takimit, Enis Bardhi, ka bërë një gjest të bukur, duke ia dhuruar fanellën e Levantes, një fansi të tij, të cilën ia kishte premtuar. 
Djaloshi nga Vizbegu i Shkupit, Bujar Mehmedi, tregon për Lajm historinë e fanellës që ia dhuroi Bardhi. 
“Unë jam një fans i tij, prej se ka shkuar në Levante. E kisha ëndërr ta kem fanellën e tij dhe e kontaktova përmes internetit. Më tha se do të ma dhurojë. Më ka realizuar dëshirën e madhe. E falënderoj shumë. I uroj shëndet dhe shumë gola të bukur, ashtu sic dinë ai të shënojë”, deklaroi Mehmedi.
Ai tregon edhe dëshirën tjetër që ka. “Unë jam tifoz me Interin dhe do të doja ta shoh Bardhin me fanellën e Interit. Shpresoj të më realizohet edhe kjo dëshirë. Ku i dihet?”, thotë djaloshi nga Shkupi.
Mehmedi e ka shumë për zemër futbollin, madje ka dashur të bëhet futbollist, por….
“Jam nxënës i vitit të tretë në shkollën mesme ‘Zef Lush Marku’. Futbollin e kam dashur shumë, dhe prapë e dua. Kam pasur dëshirë që të bëhem futbollist, por nuk munda të arrijë. Kam stërvitur dy muaj futboll, mirëpo trajneri që ishte nuk më motivonte dhe thash që s’do të merrem me stërvitje. Tash vazhdoj kështu të bëj tifozinë”, përfundoi tregimin e tij djaloshi nga Shkupi, Bujar Mehmedi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat