Kastrioti, kundërshtari i duhur në momentin e duhur për Kukësin

Futboll

Kastrioti, kundërshtari i duhur në momentin e duhur për Kukësin

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 13:41
Pamje nga një ndeshje

Dy humbje në 4 ditë ka ridimensionuar idetë edhe të tifozit më optimist të Kukësit. Nënkampionët e Shqipërisë në letër dukeshin pretendentë që atë parashtesën nën ta zhduknin dhe të rimerrnin sërish fronin. Sigurisht, ka kohë deri në fund dhe nuk është se disfatat ndaj rivalëve të Skënderbeut e Partizanit kanë mbyllur shpresat e bluve, por pikët e lëna rrugës nuk kthehen më.

Në këtë javë të fundit të fazës së parë kalendari ia ka zbutur rënien Kukësit, pasi përballë do të ketë Kastriotin. Shansi është i madh që verilindorët t’i rikthehen suksesit, megjithëse takime të tilla, ashtu si  favorizojnë ringritjen, në të njëjtën mënyrë mund të të fundosin, duke shkatërruar që në raundin e 9-të një projekt që nuk shikonte asnjë finish tjetër përveç majës më të lartë.

Pas humbjes ndaj Skënderbeut, me të drejtë u shtrua pyetja në emisioni “Gol pas Goli”: a është ky ekip pretendent kryesor për titull?! Përgjigjen e sigurt vështirë ta japë dikush, megjithatë për të rifituar etiketën e një skuadre dominuese duhet rinisur vendosja e themelit që ndaj krutanëve e më pas vjen një supersfidë e veçantë ndaj Lacit. Ndoshta është ende herët për të përdorur sloganin “o sot, o kurrë”, por Partizani nuk po ecën, po vrapon, dhe vendi i dytë, sidomos në këtë sezon, do të konsiderohej një dështim për Kukësin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat