Rrugëtimi i Mamadou Sakho: nga skamja te lavdia dhe milionat, duke mos harruar vuajtjet - Bota Sot
Rrugëtimi i Mamadou Sakho: nga skamja te lavdia dhe milionat, duke mos harruar vuajtjet

Futboll

E mërkurë, 14 nëntor 2018

Rrugëtimi i Mamadou Sakho: nga skamja te lavdia dhe milionat, duke mos harruar vuajtjet

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 10:47
Mamadou Sakho

Jeta e tij është një nga ato që tifozët e vegjël e ëndërrojnë. Një futbollist Premier Lige, i cili gjithashtu luan për kombëtaren, jeton në një shtëpi të bukur në një prej lagjeve periferike më të lakmuara në Londër.

Stili i shtëpisë është minimalist dhe me shije. I relaksuar dhe gjithnjë i buzëqeshur, futbollisti i Francës Mamadou Sakho qëndron i ulur në një divan, duke veshur një bluzë krejtësisht të bardhë.

Ndonëse buzëqesh shumë, Sakho ka shumë gjëra në mendje. Në një intervistë për CNN Sport ai flet për dëshirën për të studiuar në të ardhmen – “futbolli është një botë e mbyllur dhe unë dua ta kem mendjen të hapur” – dhe ai është i gatshëm të diskutojë edhe për projektet e tij për bamirësi.

Kur u flet bashkëshortes Majda dhe dy prej vajzave të tij, Sakho kalon te frëngjishtja. Në katin e dytë fëmija i sapolindur i tij fle gjumë, ndërsa fëmijët më të rritur janë të mahnitur nga kamera dhe dritat e aparatit fotografik. Për vajzat e vogla ai është thjesht babi.

Jeta nuk ka qenë gjithnjë kështu për Sakho.

“Kam pasur një jetë të vështirë kur isha i ri, por ato momente të vështira më ndihmuan të rritem dhe të bëhem njeriu që jam sot”, thotë Sakho, ndërsa kthehet pas në kohë, duke kujtuar rrugëtimin e tij nga Parisi deri në Premier Ligën angleze.

“Askush nuk mund të më thotë që unë nuk e di ç’do të thotë të mos kesh ushqim në frigorifer, askush nuk mund të më thotë sa ftohtë është jashtë, të flesh jashtë apo të kërkosh lëmoshë, ose të vjedhësh për të ngrënë pak ushqim, sepse kjo ishte jeta që bëja kur isha i ri. Ishte jeta ime e vërtetë”.

Ai u rrit në lagjen pariziene Goutte d’Or, pranë Montmartre. Tani kjo lagje përshkruhet si një “djep krijues”, por jeta ishte pak më e vështirë për Sakho në atë kohë.

Ai u rrit në një familje me 7 vëllezër e motra – 3 vëllezër e 3 motra – dhe kur ishte 13 vjeç i vdiq babai, edhe pse Sakho e thekson se kishte një familje të mirë, përtej vuajtjeve financiare. “Kisha historinë time… dhe mendoj se të gjithë u rritëm me mentalitet ndryshe”.

“Kur të bëhem dikush një ditë, do të jap diçka mbrapsht”

Është e qartë që ato eksperienca fëmijërie dhe ato kujtime kanë lënë një shenjë që nuk fshihet te Sakho.

“Do thosha që gjithçka më ka ndihmuar të kem një mentalitet të mirë, të fortë. Kjo është arsyeja pse gjithnjë i kam thënë vetes ‘kur të bëhem dikush një ditë, do të jap diçka’. E di mirë ç’do të thotë të mos hash para se të flesh për disa ditë rresht. Edhe pse për gjëra të tilla nuk dua të flas, sepse jam një person krenar”.

Pa futbollin, jeta e Sakho-së do të kishte qenë krejt ndryshe. Ai nisi të luante me gjigantët e Paris Saint-Germain, duke avancuar me shpejtësi në ekipet e moshave. Në moshën 21-vjeçare ishte kapiten dhe si parizien që ishte, tifozët ultras e donin shumë.

“Futbolli më ndihmoi të ndryshoja jetën e familjes sime. Me anë të futbollit mësova si të jap diçka mbrapsht. Të jap kënaqësi. Kur jam në fushë jap gjithçka për tifozët”.

PSG u ble nga Qatar Sports Investments në vitin 2011 për 170 milionë dollarë, si pjesë e strategjisë së mbretërisë së Katarit për të investuar në marka globale, nga biznesi deri te moda e sporti.

Në vitin 2013 PSG fitoi titullin e parë pas 19 vitesh pritjeje, por pronarët e rinj blenë emra të mëdhenj dhe pak nga pak Sakho e pa veten të mënjanuar nga trajneri Carlo Ancelotti.

Transferimi në Angli

Për shkak të hapësirës së paktë në Paris, Sakho kaloi te Liverpool në Premier League. Liverpool i shkoi shumë pranë titullit kampion në sezonin 2013/2014 dhe Sakho luajti 19 ndeshje, por sezonin pasues u grind me trajnerin Brendan Rodgers për shkak se u la në stol në derbin e madh kundër Evertonit.

Rodgers u pasua nga Jurgen Klopp, por në 2016 Sakho rezultoi pozitiv për një substancë që djeg dhjamin pas një kontrolli në përfundim të një takimi në Europa League kundër Manchester United.

Sakho u pezullua 30 ditë dhe humbi mundësinë të luante në finalen e Europa League, ashtu si mbeti jashtë Euro 2016 me Francën.

Më vonë UEFA zbuloi se laboratori i WADA-s në Lozanë nuk ishte kryer asnjë test për substancën, ndërsa testi ishte dërguar në Këln. Për pasojë, çështja ndaj Sakho u mbyll dhe lojtari u shpall i pafajshëm.

Pavarësisht se UEFA e anuloi dënimin për doping, një marrëdhënie gjithnjë e më shumë e acaruar me trajnerin e Liverpool-it Jurgen Klopp u bë një problem madhor dhe Sakho u urdhërua të shkonte në shtëpi gjatë një turneu parasezonal, për shkak se shkonte me vonesë në mbledhjet e ekipit. Kjo bëri që Sakho të largohej, duke u transferuar te Crystal Palace.

“I kisha realizuar gjithë ëndrrat e mia. Ëndrra ime ishte të luaja futboll profesionist te PSG dhe falë Zotit ia dola. Doja të isha kapiten i PSG-së dhe ia dola. Doja të fitoja titullin me PSG, ia dola.

“Luajta për kombëtaren franceze. Falë Zotit ia dola, por dua ta bëj sërish, sepse është synimi im”.

Sezonin e shkuar Crystal Palace humbi 7 ndeshjet e para, por pasi drejtimin e mori trajneri veteran Roy Hodgson, Sakho luajti një rol vendimtar në arritjen e mbijetesës.

Trajneri Didier Deschamps e futi në listën e lojtarëve që do të grumbulloheshin në Botëror në rast dëmtimesh në ekipin e përzgjedhur, ndërsa për ndeshjet e fundit kundër Islandës e Gjermanisë e mori në ekip, duke e shpërblyer për rendimentin konstant në Angli.

Bamirësia

Kur luante në Paris, Sakho dhe bashkëshortja e tij themeluan Amsak, një organizatë që kryen vepra bamirësie në Francë, Angli dhe Afrikë.

“Amsak do të thotë Shoqata Mamadou Sakho. E themelova kur isha 18-19 vjeç, kur luaja për PSG. Mendoj se është e rëndësishme të shkojmë në Afrikë, si dhe të ndihmojmë njerëzit në Angli. Kur isha në Liverpul vizitova disa vende, shkova në një spital për të folur me fëmijët dhe të jepja ç’të kisha mundësi. Siç e thashë, të gjithë mund të japim një ndihmë sado të vogël. Më parë nuk kisha asgjë, realisht asgjë, ndaj tani jeta është e mirë. Punoj shumë, për të merituar atë që fitoj, ndërsa mundohem të jap diçka mbrapsht”.

“Për mua gjëja më e rëndësishme është që nuk kam nevojë që njerëzit të thotë që Sakho është njeri i mirë. Nuk kam nevojë për këtë.

“Nëse ke vetëm kripë, atëherë jep kripë, nëse dikush ka nevojë. Nëse ke mjaftueshëm para për të ndërtuar një qytet apo fshat, ndërtoje”.

Projekti i fundit i Sakho-së lidhet me kurse për të rinj, që të mësojnë zanatin e berberit, te një berber i njohur në Londër, Nikky Onyere, aty ku Sakho ka shkuar që kur është transferuar në Londër.

Projekti i ardhshëm është ende sekret, por Sakho ka në plan të bashkëpunojë me Pogba e Matuidi, disa futbollistë të tjerë dhe disa këngëtarë.

“Do të jetë një projekt i bukur për Amsak dhe synimi i vetëm është të ndihmojmë njerëzit dhe të nisim të ndërtojmë një jetimore”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test