Me padurim pritet derbi Inter-Milan

Futboll

Me padurim pritet derbi Inter-Milan

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 18:31
Pamje nga një ndeshje

Të gjithë në pritje të derbit më të madh italian, mes dy skuadrave të një qytetit, që luajnë në të njëjtin stadium dhe rival të përbetuar e të përjetshëm, Inter - Milan. Cili do të jetë më i mirë, gjithçka do të shihet të dielën e 21 tetorit në orën 20.30, ku këto dy skuadra ndeshen në kuadër të javës së 9-të të Serie A në futboll. Interi mban vendin e tretë me 16 pikë, katër më shumë se Milani në pozitën e dhjetë.  Vijojnë përgatitjet e të dyja skuadrave për derbin e Milanos. Mauro Icardi është pikë referimi në radhët e  Interit, teksa do të ketë përballë bashkëkombësin e tij, Gonzalo Higuain. Nga rinovimi te krahasim me “Pipita”, duke kaluar nëpër angazhimet e ardhshme prestigjioze midis kampionatit dhe Champions League, kapiteni i Interit mundohet t’i prekë të gjitha.

Duke folur për mikrofonat e “Sky Sport”, sulmuesi argjentinas përballet “në letër” me homologun argjentinas të kuqezinjve: “Nëse do kisha mundësi t’i hiqja Milanit dikë për derbin, patjetër do të ishte Higuain. Ai është sulmuesi kryesor i kuqezinjve, i cili ka shënuar rregullisht në vitet e fundit. Unë nuk mendoj se ka një rivalitet mes nesh, por mes dy skuadrave. Gonzalo ka shënuar kaq shumë gola në karrierën e tij. Personalisht jam i qetë, nuk kam asnjë merak për të qenë si ai. Unë kam karakteristikat e mia. Më mirë një gol ndaj Milanit, apo Juventusit?

Nuk ka rëndësi, mjafton që ky gol të vlejë tri pikë”, tha Icardi. Ai gjithashtu, shpjegon rrugën e tij të të luajturit: “Stili im i lojës është ai që ju shihni. A jam i sigurtë se me Lautaro Martinez mund të luajmë si duet sulmues i Interit? Po, ne mund të bëjmë mirë së bashku. Edhe me Nainggolan është një kënaqësi për të luajtur”. Pas derbit do të vijë ndeshja me Barcelonën në Champions. Sulmuesi i Interit beson te potenciali i ekipit të tij. “Duhet të mendojmë vetëm në lidhje me një ndeshje, atë derbi, tani për tani. Jemi të vetëdijshëm se blaugranët nuk janë në gjendjen më të mirë të mundshme. Interi, në raport me Juventusin? Ne jemi një ekip në rritje, pastaj bardhezinjtë kanë një bazë prej shumë vitesh”, tha Icardi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat