Zhdrella: Llapi u dëmtua në disa ndeshje

Futboll

Zhdrella: Llapi u dëmtua në disa ndeshje

Nga: Kemajl Goca Më: 18 tetor 2018 Në ora: 19:31

Ka shumë ndeshje deri në fund dhe gjithçka është e paqartë se cilat nga skuadrat do të shkëputën në luftë për titullin e kampionit në elitën e futbollit të Kosovës. Feronikeli nga Drenasi udhëheq kreun me 23 pikë, i ndjekur nga Llapi me 19 sosh por që ka edhe një takim më shumë, Prishtina është në pozitën e tretë me 18, Flamurtari është i katërti me 16 sosh etj.

Mesfushori prej më të mirëve në vend, Mentor Zhdrella, pas një kohe rikthehet nga lëndimi dhe ndihmoi Llapin në fitoren me rezultat 3:1 kundër Gjilanit. Zhdrella tha se skuadrën e tij e sheh si pretendent për titull dhe për Kupën e Kosovës. “Normal se Llapin e shoh pretendent për titull.

Atmosfera është shumë e mirë në ekip, pa marrë parasysh gjërave që kanë ndodhur rreth klubit, janë çështje të tyre, ndërsa neve na mbetet të japim maksimumin dhe të arrijmë rezultate sa më të mira”, tha Zhdrella për gazetën kombëtare “Bota sot”. “Normal se kemi pasur disa mungesa për shkak të lëndimeve, si Shend Kelmendi, Ahmet Januzi e unë, megjithëkëtë,  Llapi ka luajtur mirë, i ka munguar fati por pak a shumë jemi të dëmtuar edhe nga referët”, tha ai.

Mesfushori tha se diferenca mes të parit dhe të dytit nuk është e madhe, por mendon se ka shumë ndeshje deri në fund dhe asgjë nuk i dihet: “Të them të drejtën është herët me folur sa i përket diferencës në pikë, por mendoj se edhe Feronikeli ka me pasur krizën në ndonjë lojë, ndërsa ne do të luftojmë që të jemi sa më afër kreut të tabelës”. Zhdrella si gjithmonë është i matur në synime, por beson se njërin nga trofetë do ta sjellin në qytetin e Podujevës. “Titulli ose Kupa është e mirëseardhur. Mendoj se Kupa është më afër, sepse ka pak lojë dhe shkon shumë shpejt në finale, kurse kampionati është i gjatë dhe shumë ekipe prendentojnë titullin sikurse edhe Kupën. Neve na ka mbetur me punuar sa më shumë dhe me shënuar rezultate të mira”, tha Zhdrella. Sa i përket skuadrave që luftojnë për titull, mendon se janë disa prej tyre.

“Mendoj që në luftë për titull janë Llapi, Prishtina, Feronikeli, besoj edhe Drita mund të përfshihet, e cila ka një ekip të mirë, pastaj Trepça ’89, kështu që mos të harrojmë se jemi në javën e dhjetë, ka edhe shumë ndeshje deri në fund”, theksoi ai. Llapi të dielën (14.45) do të luajë në stadiumin “Riza Lushta”, e cila është derbi i javës, por Zhdrella shpreson në rezultat pozitiv. “Edhe me një pikë në Mitrovicë do të jemi të kënaqur, kur se Trepça ka një ekip të mirë dhe luajnë si vendas, që është mjaft vështirë mi mposhtur. Për ne çdo rezultat është i mirëseardhur: fitorja apo barazimi”, shprehet Zhdrella. Tifozët “Legjendat” janë zemra e skuadrës llapjane. “Normal se pa tifozë nuk ka shije futbolli dhe tifozët ‘Legjendat’ janë tifozët të mrekullueshëm, zemra e ekipit dhe apo si e quajnë edhe lojtari i 12-të.

Ata si në fitore si në humbje na përkrahin maksimalisht”, thotë Zhdrella. Sipas mesfushorit, është një kampionat me rivalitet të madh: “Është një kampionat shumë i paqartë, edhe vitin e kaluar nuk është ditur deri në fund se çka do të ndodhë. Realisht nuk dihet se kush kë e mundi, cilësia e ekipeve 90 për qind është e barabartë dhe një kampionat shumë interesant”. Zhdrella tha se janë dëmtuar në disa takime: “Lojën e fundit u dëmtuan me Prishtinën, në vend që të jepet karton i kuq për ata, na u dha neve, po ashtu edhe me Flamurtarin jemi dëmtuar dhe në disa ndeshje tjera, nuk e them se me qëllim, por jemi dëmtuar”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat