Allegri: Kalendari në letër na favorizon

Futboll

Allegri: Kalendari në letër na favorizon

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 15:37
Allegri: Kalendari në letër na favorizon

Juventusi e ka nisur në mënyrë të mrekullueshme këtë sezon e aktualisht gjendet në vendin e parë të Serisë A, duke marrë 8 fitore në 8 ndeshjet e para, i ndjekur nga Napoli me 6 pikë më pak dhe Interi me 8. Këtë fundjavë, bardhezinjtë do të kenë mundësinë të arratisen akoma më shumë, duke qenë se do të luajnë përballë Genoas në “Allianz Stadium”, napolitanët e Ancelottit do të udhëtojnë në transfertë përballë Udineses dhe Interi do të luajë në derbi përballë Milanit. Edhe vetë tranjeri Massimilliano Allegri e di këtë gjë, por gjithsesi kërkon përqendrim maksimal nga skuadra e tij.

“Kalendari në letër na favorizon që t’u rrëmbejmë pikë kundërshtarëve, por, gjithsesi, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Sa i përket takimit me Genoan, në sulm besoj se do të luajnë Mandzukic, Ronaldo dhe njëri mes Dybalas dhe Douglas Costas, pasi po kalon një periudhë të mirë, por gjithsesi të shohim”.

Ish-tekniku i Milanit shfaqi vlerësim të madh për kundërshtarin e së shtunës, por gjithashtu edhe për Krzysztof Piatek, golashënuesin e kampionatit italian dhe një nga surprizat më të bukura të këtij sezoni.

“Duhet të punojmë fort çdo javë dhe të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Ky është një moment i rëndësishëm, nëse mendojmë se kemi fituar sfidën pa luajtur, është një gabim i rëndë, Genoa do të tregohet mjaft agresive. Piatek është një sulmues i shkëlqyer, di të pozicionohet mjaft mirë në zonën kundërshtare dhe ka shënuar në çdo takim këtë kampionat”.

Mbetet për t’u parë nëse Juventusi do të marrë suksesin e radhës në këtë kampionat, duke qenë shumë pranë rekordit të Romës së Rudi Garcias, e cila ka fituar 10 ndeshjet e para në sezonin 2013-2014.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat