Ademi: Bashkërisht mund të bëjmë gjëra të mira - Bota Sot
Ademi: Bashkërisht mund të bëjmë gjëra të mira

Futboll

E enjte, 15 nëntor 2018

Ademi: Bashkërisht mund të bëjmë gjëra të mira

Nga: Kemajl Goca Më: 19 tetor 2018 Në ora: 18:52
Agim Ademi

Viti 2018 është vit interesant dhe me shumë kthesa për futbollin e Kosovës. Futbollin e Kosovës e pllakosi dhembja nga ikja e hershme e legjendës dhe presidentit Vokrri. Por për fatin e mirë drejtimin e FFK-së e mori krahu i djathtë i Vokrrit, nënpresidenti Agim Ademi, ose siç njihet njeriu që bëri shumë në dy periudha për futbollin tonë, nga koha e okupimit dhe e pasluftës, njeriu që ka durimin, vizionin dhe guximin e mbi të gjitha qetësinë që të dëgjojë të gjithë e pastaj të marrë vendimin e duhur. Kosova ka shënuar ngritje mjaft të mirë edhe në ranglistën e përgjithshme të asociacionit më të lartë, FIFA.

Një vit që do të mbetet gjithmonë në kujtesë, për shumëçka por edhe për shkak se me 10 shtator u zhvillua ndeshja e parë zyrtare për Ligën e Kombeve në stadiumin e rinovuar “Fadil Vokrri” në Prishtinë, mes Kosovës dhe Ishujve Faroe.  E veçanta tjetër ka qenë, se stadiumi “Fadil Vokrri” nuk ka pasur kapacitet t’i pranoi numrin e madh të të interesuarve si për ndeshjen me Ishujt Faroe po ashtu edhe me Maltën. Ai tha se kanë marrë notë pozitive për organizim nga instancat më të larta të UEFA-s dhe FIFA-s, po ashtu flet edhe për zhurmën e madhe që po bëhet për shitjen e biletave, një numër edhe në të zezë dhe a ka faji në këtë drejtim FFK, si dhe për sa mund të zgjerohet tribuna lindore e stadiumit “Fadil Vokrri”.

 “Bota sot”: Z. Ademi, Kosova ka ecuri shumë të mirë në kualifikimet e Ligës së Kombeve në Divizionin D, është një reflektim i përzgjedhësit të ri Bernard Challandes apo një punë kolektive?

Agim Ademi: Është rezultat i punës kolektive në kontunuitet, e ku djemtë e kanë bërë punën mjaft mirë, por natyrisht është edhe ndikimi dhe puna profesionale e trajnerit dhe shtabit teknik komplet.

“Bota sot”:  Zhvillimi i ndeshjeve në stadiumin “Fadil Vokrri”, ka lehtësuar shumë punët për FFK-në dhe Kombëtaren e Kosovës dhe cilat janë vlerësimet nga UEFA?

Agim Ademi: Vlerësimet janë shumë të mira për të dyja ndeshjet si vendas, por edhe infrastruktura e stadiumit "Fadil Vokrri" mundëson organizim të mirë dhe kontribut për një vlerësim pozitiv e të mirë kanë dhënë të gjithë.

“Bota sot”: Askush më shumë se Ju nuk i njeh rrethanat e futbollit tonë, sepse jeni të përfshirë që nga periudha më e vështirë e kohës së okupimit, çfarë duhet ndryshuar tani e tutje?

Image

Agim Ademi dhe Davor Shuker, kryetar i Federatës së Futbollit të Kroacisë

Agim Ademi: Tani e tutje duhet shumë punë profesionale, kyçja e njerëzve në profesionet e veta dhe ngritja profesionale e të gjitha segmenteve përmes organizimit të seminareve për ekipet e FFK-së, si dhe organizimi më i mirë i infrastrukturës teknike.

“Bota sot”: Kemi dy ndeshjet e fundit, të ashtuquajtura si finale,  në udhëtim me Maltën dhe me Azerbajxhanin në stadiumin “Fadil Vokrri”, pikët janë të domosdoshme për ta ruajtur vendin e parë. A besoni se pozita e para është e paprekshme?

Agim Ademi: Në futboll asgjë nuk ka të sigurt, por sipas analizave të ekspertëve dhe punës e përkushtimit të komplet të stafit, besoj në rezultate të mira në këtë garë në arritjen e objektivave tona.

“Bota sot”: Nëse Kosova renditet e para në grup, ngjitet në Ligën C,  ka edhe një mundësi të artë përmes Play-Off-it për të siguruar kualifikimin direkt në Kampionatin Evropian. A keni biseduar me institucionet shtetërore për ndonjë shpërblim eventual në rast të kualifikimit, që do të ishte motiv shtesë për djem tanë?

Agim Ademi: Po, është fat i mirë që të gjitha instancat shtetërore janë në përkrahje tonë për një rezultat sa më të mirë dhe sigurisht do të ketë edhe mbështetje financiare. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, ka premtuar se do të ndaj 1 milion euro, për çka e falënderoj.

“Bota sot”: Kohët e fundit shumë zhurmë, si në takimin me Ishujt Faroe po ashtu edhe me Maltën, pothuajse biletat shiten për me pak se 30 minuta, avullohen në kohë rekorde, ndërsa në anën tjetër qytetarët ankohen se ka shumë bileta në të zezë, në një formë fajësojnë edhe FFK-në, çfarë po ngjan?

Agim Ademi: Ne kemi shprehur keqardhje për ndodhitë jo të mira, por FFK e ka kontraktuar një kompani që i prodhon dhe i shet biletat (FFK nuk shet bileta), dhe pikat që shiten biletat nuk mund të përballojnë fluksin e madh të njerëzve të interesuar, kërkesa shumë e madhe (për çka dihen), ndërsa kapaciteti i stadiumit "Fadil Vokrri" është i vogël për të gjithë dashamirët e futbollit, dhe më vjen keq që nuk munden njerëzit të pajisen të gjithë me bileta.

 “Bota sot”:  Jeni president i një shtëpie të fuqishme, me një Kombëtare që po rritet gjithnjë e më shumë, a e keni rritur presionin në Qeverinë e Kosovës, që sa më shpejt të ndërtohet stadiumi i ri, sepse kapaciteti i stadiumit “Fadil Vokrri, është shumë i vogël për t’i pranuar të gjithë ata të interesuar për një ndeshje?

Agim Ademi: Po dhe jemi në bisedime me gjithë faktorët relevant të shtetit dhe kemi premtime se do të fillojë në muajin shkurt të vitit 2019 ndërtimi i stadiumit nacional, por jemi duke e shqyrtuar mundësitë të rrisim edhe tribunën lindore të stadiumit "Fadil Vokrri", që të mund të pranoj edhe 6.700 shikues më shumë, që ta zbusin kërkesën momentale.

“Bota sot”: Jo vetëm futbolli por edhe në sportet tjera në veri të Mitrovicës klubet serbe zhvillojnë garat ilegale në kuadër të Serbisë, a keni një plan konkret për t’i parandaluar ato së bashku me federatat tjera dhe ministrinë e punëve të brendshme apo mungon bashkëveprimi?

Agim Ademi: Po sigurisht, që nga shkrimi juaj, kam kërkuar nga FIFA (në takim) dhe nga UEFA që të parandalojnë këtë dukuri, ndërsa jemi në diskutim me organet shtetërore që të ndërpritet shumë shpejt kjo dukuri.

“Bota sot”: Agim Ademi në dy kohëra: I kohës së okupimit, sakrificës, i përndjekur nga regjimi serb, dhe i pas luftës, aktualisht president i FFK-së, çfarë iu ka mbetur merak që nuk e keni realizuar dhe a ke pasur kohë t’i kushtohesh familjes tuaj?

Agim Ademi: Të them të drejtën,  për familje shumë pak kohë kam ndarë, sepse tërë jeta ime, nga studimet e tutje jam marrë me aktivitet kombëtare dhe sportive. E falënderoj familjen për mirëkuptim. Dhe për merakun, shpresoj se do të më realizohet me kualifikimin e Kosovës në Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test