City me “5 yje” shkatërron Burnley-n, shkruhet historia në Premier League

Futboll

City me “5 yje” shkatërron Burnley-n, shkruhet historia në Premier League

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 18:01
Manchester City, Silva dhe Aguero

Manchester City, ashtu siç pritej, nuk e ka pasur të vështirë të bëjë një fitore të rehatshme ndaj Burnley. Skuadra e Pep Guardiola-s tregoi një formë të mirë në Etihad ndaj të besuarve të Sean Dyche, duke marrë tre pikë të rëndësishme në Premier League. Me këtë fitore, Qytetarët kanë marrë kryesimin e kampionatit pas barazimit të Chelsea-t, por mund të zbresin në vend të dytë nëse Liverpool fiton me një goleadë më vonë ndaj Huddersfield.

Pas dy-tre mundësive shumë të mira, Sergio Aguero zhbllokoi rezultatin në minutën 17’ pas një pasimi të David Silva-s. Sulmuesi argjentinas kishte humbur dy herë përpara portës së ish-shokut të ekipit Joe Hart, por kjo ishte e treta e vërteta. Pas pushimit ishte Bernardo Silva ai që dyfishoi rezultatin pas një tjetër asisti të bukur të David Silva-s. Dy minuta më pas, Fernandinho trefishon me një predhë të vërtetë nga jashtë zone.

Një moment i lumtur për tifozët e City-t kur Kevin De Bruyen markon rikthimin e tij në fushë në minutën e 58’. City menaxhon mirë rezultatin deri në fund dhe goli i Mahrez në të 83’ ishte qershia mbi tortë. Algjeriani lëshoi një perlë të vërtetë nga distanca me topin që përfundoi në trekëndëshin e majtë. Tani City i sheh të gjithë nga lartë.

Në ndeshjet e tjera, Cardiff ka përmbysur gjithçka 4-2 në luftën për mbijetesë ndaj Fulham. Gjithsesi, miqtë kanë shkruar historinë me golin e Ryan Sessegnon, i cili është bërë adoleshenti i parë i lindur pas viteve 2000 që shënon në Premier League.

Bournemouth këtë herë nuk ka gjetur rrjetën në barazimin 0-0 ndaj Southampton. Newcastle ka pësuar një tjetër disfatë, këtë herë ndaj Brighton në shtëpi 1-0. Tottenham ka marrë një fitore në derbin e Londrës ndaj West Ham, me golin e Lamela-s. Wolves kanë pësuar një humbje shokuese ndaj Watford brenda në shtëpi teksa janë mposhtur 2-0.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat