Klasi i Quique Setien, kërkoi falje pas fitores ndaj Milanit

Futboll

Klasi i Quique Setien, kërkoi falje pas fitores ndaj Milanit

Më: 27 tetor 2018 Në ora: 07:35
Quique Setien

Betis fitoi ndaj Milanit në San Siro të enjten, duke zhytur në krizë kuqezinjtë dhe duke konfirmuar se janë një ndër ekipet më interesante në Spanjë dhe Europë, për lojën që bëjnë. Meritë e trajnerit Quique Setien, një personazh i veçantë, shumë i vlerësuar në Spanjë për lojën e bukur që luajnë ekipet e tij dhe për faktin se nuk e ndryshon kurrë lojën sulmuese të skuadrës së tij, pak rëndësi ka nëse përballë është Reali apo vendi i fundit në renditje.

Pas fitores ndaj Milanit, Setien nuk e fshehu kënaqësinë për triumfin ndaj një emri të lavdishëm: “Një fitore e rëndësishme për ne, jo thjesht për tre pikët që na japin kreun e grupit, por edhe për prestigjin që të jep një fitore në San Siro. Të fitosh apo të humbasësh nuk e ndryshon perceptimin tim të paraqitjes në fushë, rëndësi ka të luajmë mirë dhe sot luajtëm mirë. Jam i kënaqur, sepse është sezoni im i parë në Europë”.

Setien komentoi edhe protestat e Milanit për shkak të vonesave të lojës nga lojtarët e Betisit dhe këtu trajneri 60-vjeçar tregon klas: “E vërteta është që ne luajtëm një ndeshje të madhe, sidomos në pjesën e parë, ndërsa Milani pati më shumë shanse në pjesën e dytë. Nëse është krijuar përshtypja se po vononim lojën në 15 minutat e fundit të ndeshjes, atëherë do të bisedoj me lojtarët e mi, sepse unë nuk e pëlqej atë stil loje dhe atë sjellje. Kërkoj falje nëse kemi dhënë atë ide te Milani dhe te tifozët në stadium, apo përpara televizorit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat