Një “El Clasico” pa Messin e CR7, që mbetet sërish “derbi i botës”

Futboll

Një “El Clasico” pa Messin e CR7, që mbetet sërish “derbi i botës”

Më: 28 tetor 2018 Në ora: 14:05
Lionel Messi, Cristiano Ronaldo

Nuk do të jenë Lionel Messi dhe as Cristiano Ronaldo, të dy për motive të ndryshme. Por, magjia e “El Clasico”-s mbetet e pakrahasueshme me çdo ndeshje të futbollit botëror, edhe pa dy protagonistët e klasit të dekadës së fundit.

Sot në orën 16:15 fillon përballja emocionuese në La Ligën spanjolle, mes dy gjigantëve që luftojnë për titullin, por vijnë me klasifikim dhe ecuri të ndryshme.

Pas plot 11 vitesh pa Ronaldon dhe Messin në fushë, tani “klasikja” që mbledh miliona tifozë para ekranit të vogël do të impenjojë në “Camp Nou” dy trajnerë, që nuk janë në kulmin e tyre në pankinat respektive. Të dy formacionet kanë ndryshime të mëdha, por presioni është dukshëm në stolin e “galaktikëve” dhe mbi trajnerin Lopetegui.

Edhe pa protagonistët e “Topit të Artë” pritet të ketë shkëndija, me lojtarë të tillë si Suarez, Coutinho, Bale dhe Ramos. La Liga spanjolle ka organizuar shfaqje në mbarë globin për të ndjekur “El Clasico”-n, pavarësisht diferencës së orës, madje ka shpërndarë në shumë shtete protagonistë të dyja ekipeve për të entuziazmuar turmat.

Në Kalkuta të Indisë është parashikuar një festë gjigante në stadiumin e Bengalit, ndërsa në Shangai pritet të jenë 50 mijë tifozë në “Fan Zone”-n e ngritur atje. Po kaq madhështore pritet edhe atmosfera në kryeqytetin e Uzbekistanit, me 35 mijë tifozë që do të mblidhen në “Milli Stadium” për një ndeshje që nuk mund të parashikohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat