Marre

Futboll

Marre

Nga: K. G. Më: 30 tetor 2018 Në ora: 17:20
Pamje nga një stërvitje e Lirisë

Liria nga Prizreni po kalon periudhë shumë të vështirë, po ballafaqohet me shumë probleme dhe si pasojë e kësaj është fundosur në renditjen e tabelës (i parafundit, i 11-ti) me 10 pikë pas 13 jave në elitën e futbollit të Kosovës. Klubi me renome përmes një kumtese ka reaguar ashpër. “Mos e shkatërroni futbollin, ndalni qëllimet djallëzore! Menjëherë pas ndeshjes Ferizaj-Liria, Kryesia e KF Liria, mbajti takim të jashtëzakonshëm, konform situatës së krijuar pas kësaj ndeshjeje, e shkaktuar nga gjyqtarët e ndeshjes.

KF Liria me dt.27.10.2018, iu drejtua me shkresë zyrtare FFK-së dhe organeve të saja, lidhur me dëmtimin që na u bë në ndeshjen: Ballkani-Liria, e luajtur me dt.26.10.2018, ku na u anulua goli i pastër, e për çka edhe opinion tashmë është në dijeni. Ende pa u këndellur nga ai tmerr (ku na u mohua fitorja), vjen një tjetër dëmtim i rëndë, në ndeshjen e luajtur sot (30.10.2018),ku në minutën e 90-të ne na anulohet gol i pastër, nga gjyqtari Alban Shala, që ishte shumë  prapa lojtarëve (në vijën e 16-tëshit të Ferizajt). Për çudi, Alban Shala, fishkëllon pa ngritur flamurin, asistenti Jakup Musolli, e pas fishkëllimës së Shalës, reagoi edhe anësori Musolli !!!??? Ishte ky dëmtim serioz, me ndikim në rezultat, pasi goli ishte i rregullt (shihni incizimet).

Kjo më pas ka shkaktuar pakënaqësi tek lojtarët, publiku dhe zyrtarët e Lirisë, që mirë e menaxhuan situatën, duke përcjell skuadrën mysafire sipas rregullave të kërkuara.

Lidhur me këto zhvillime, dëmtime direkte, që Lirisë praktikisht, brenda pesë ditëve iu mohuan 6-të pike, ne si klub s’kemi si të mos ngrisim disa dyshime tona, bile në opinion dhe pyesim: -a po e paguan Liria faturën e rënies nga Superliga? -nëse janë bërë llogaritë, që ne na dërgojnë në rang më të ulët ? -kujt i konveno kjo pos atyre që se duan futbollin dhe zhvillimin e tij ?

Ju orkestrues të këtyre lojnave, nuk po e dëmtoni vetëm Lirinë, pavarësisht që faturën po e paguajmë ne si klub. Por, ju po e katandisni futbollin, po e dëmtoni atë që pasojat s’do të ndalen vetëm me largimin e një skuadra nga Superliga. Ndaleni këtë tmerr, mos bëni plane djallëzore, lejoni të rinjtë të luajnë, të kënaqen, mos i acaroni, mos ua thyeni ndjenjat, mos i përlotni futbollistët që derdhin djersë (sot të gjithë lojtarët e Lirisë, qajtën si fëmijë), se do tu vrasë ajo djersë, e do ju djeg loti tyre.

Shpresojmë që kjo aventurë e rrezikshme e orkestruesve,  të ndalet edhe pse tashmë ne jemi duke paguar faturën, të dëmtuar me pikë por dhe të thyer shpirtërisht. Kështu, nuk ecën futbolli!!! Marre!”, thuhet në kumtesën e nënshkruar nga Ilijaz Ilijazi, kryetar i FC Lirisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat