Zbulohet oferta faraonike e Manchester City për Messin në vitin 2017

Futboll

Zbulohet oferta faraonike e Manchester City për Messin në vitin 2017

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 12:02
Lionel Messi

Lionel Messi e vlerësoi mundësinë për t’u larguar nga Barcelona dhe për të nënshkruar me Manchester City në tetor të vitit 2017. Këtë e zbulon sot “El Mundo Deportivo”, e cila nxjerr në dritë edhe të gjitha shifrat, që janë trajtuar në kontaktet mes njerëzve përreth yllit argjentinas dhe klubit anglez, në mes të dhjetorit 2016 dhe nëntorit 2017.

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” shqyrtoi mundësinë e largimit nga “Camp Nou”, pasi mori një ofertë multimilionë dollarëshe nga Manchester City. “Qytetarët” e drejtuar nga Pep Guardiola e joshën Leo Messin me një ofertë 250 milionëshe neto për pesë vite, plus një premio prej 50 milionë euro për babain e tij menaxher.

Përveç kësaj, Manchester City do të paguante klauzolën e lojtarit te Barcelona, prej 250 milionë euro. Kontaktet, sipas gazetës, u mbajtën mes drejtorit të Manchester City dhe ish-zëvendës presidentit të Barcelonës, Ferran Soriano, dhe babait të lojtarit, Jorge Messi, të cilit klubi anglez i ofroi një çmim prej 50 milionë euro bruto, në qoftë se do ta bindte djalin e tij për të lënë Barcelonën.

Në total, përfshirë taksat, operacioni marramendës i “qytetarëve” do të ishte 755 milionë euro. Kontaktet u përshpejtuan në tetor 2017, që përkojnë me procese ekstra sportive te Barcelona. Kriza politike, që plasi në Katalonjë, bëri që Messi ta peshonte seriozisht largimin e tij nga Barcelona, për herë të parë.

Prandaj, kjo frikë imponoi klubin blaugrana të rinovonte kontratën me yllin argjentinas, me përmirësim të konsiderueshëm financiar, dhe të vendoste një klauzolë astronomike për lirimin e Messit dhe ikjen e tij në një nga katër ligat kryesore europiane (Spanjë, Angli, Gjermani apo Francë).

Në fund, Messi arriti marrëveshjen për të vazhduar me Barcelonën dhe vetëm një muaj pas negociatave me “qytetarët”, në nëntor 2017, rinovoi për katër sezone të tjera, deri në vitin 2021, duke përfituar 35 milionë euro neto në sezon. Klauzola e largimit u bë 700 milionë euro, ndërsa ka edhe opsionin që të rinovojë një sezon tjetër me Barcelonën, me të njëjtat kushte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat