Buffon flet për momentin e tij të vështirë në Champions dhe zbulon favoritët

Futboll

Buffon flet për momentin e tij të vështirë në Champions dhe zbulon favoritët

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 15:33
Gigi Buffon

“Një ndeshje delikate, kundër një kundërshtari shumë të fortë”. Kështu e ka konsideruar Gigi Buffon përplasjen e radhës në Champions, në fazën e grupeve, kundër Napolit. Të martën, PSG do të zbresë në “San Paolo” për t’u përballur me napoletanët e drejtuar nga Carlo Ancelotti, në një lojë kyçe për pjesën tjetër të Ligës së Kampionëve.

“Shkuarja e Ancelottit trajner e ka bërë Napolin me një lloj tjetër vetëdije, i ka dhënë më shumë siguri e besim, – thekson për “Sky Sports” Buffon, i cili e ka kryer tashmë pezullimin me tri ndeshje në Champions dhe do të luajë si titullar me PSG, që nga minuta e parë. “Si i përjetova tri ndeshjet e para të grupit? Vuajta, – thotë portieri 40-vjeçar me buzëqeshje. – I pashë ato nga TV, në dhomën e zhveshjes. Duke mos qenë pjesëmarrës në kësi ndeshjesh, kisha vuajtje”.

Buffon nuk mund të luante tri ndeshje në këtë kompeticion, pas dënimit përkatës që mori nga UEFA, si rezultat i shpërthimit pas ndeshjes Real Madrid-Juventus, në edicionin e kaluar, teksa e akuzoi arbitrin anglez, Oliver, se kishte “një kazan plehrash në vend të zemrës”.

Në moshën 40-vjeçare, ish-portieri i Juventusit nuk mendon ende për tërheqjen nga futbolli i luajtur: “Unë nuk dua të jap afat, por do të luaj derisa të kuptoj se jam konkurues. Për sa kohë jam me fat, pa asnjë dëmtim e shqetësim trupor, do të luaj në nivele shumë të larta të futbollit. Shikoj përpara. Ka kohë për t’u ndalur”.

Në Paris, ëndrrat për triumf në Champions kanë qenë të mëdha në vitet e fundit, por ato janë shkërmoqur disa herë. Për Buffon, favoritët në këtë kompeticion janë dy-tre: “Ju nuk mund të mos llogarisni Barcelonën, ??e cila ka lojtarë të shkëlqyer, pa harruar më të mirin në botë, Leo Messin. Pastaj vjen Juventusi. Vitet e fundit e kanë konsoliduar skuadrën bardhezi në Champions, ndërsa tani, me shkuarjen e Ronaldos, është gati për sprintin e madh final”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat