Nga golat te muzika, Osvaldo nis turneun europian

Futboll

Nga golat te muzika, Osvaldo nis turneun europian

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 21:31
Daniel Osvaldo

Në vitin 2016, vetëm 30 vjeç, Pablo Daniel Osvaldo habiti të gjithë, duke e lënë futbollin, sepse “e kam dashur shumë, por nuk ishte bota ime: kisha nisur ta urreja”.

Bëhet fjalë për një sulmues me karrierë goxha të rëndësishme, duke luajtur te Roma, Juve, Inter e shumë klube të tjerë, ndërsa luajti edhe për kombëtaren italiane, të cilën e preferoi para asaj argjentinase.

Tani Osvaldo është rockstar, pasi pasioni i tij i madh ka qenë gjithnjë muzika rock, aq sa ka formuar edhe grupin e vet, Barrio Viejo.

Dy albume deri tani, një prej tyre del këto ditë, ndërsa së shpejti Osvaldo do të jetë në turne nëpër Europë, përfshirë Italinë, vendin ku ka më shumë kujtime e miq.

Nuk ka më futboll dhe gola, por skenë, mikrofon dhe kitarë, duke kaluar nga Roma deri në Pisa mes janarit e shkurtit. Më pas, Barrio Viejo do ketë koncerte edhe në Gjermani, Austri e Belgjikë.

“Unë nuk isha si Ronaldo, që pas stërvitjes kthehej në shtëpi dhe ushtrohej sërish në palestër. Mua më mjaftonte talenti. Në fushë isha më i miri, por pas 90 minutave merrte fund aty. Problemi është se mbrëmjeve e teproja me jetën e natës dhe këtë e paguajta shtrenjtë”, rrëfente Osvaldo, i cili foli edhe për largimin nga futbolli. “Njerëzit nuk e kuptojnë vendimin tim dhe më shohin sikur të isha i çmendur. Më thonë: kishe gjithçka, ke luajtur me ekipet më të mira në botë dhe e le futbollin? Je i çmendur. Nuk e kuptojnë që pasioni im është muzika, tani kam një jetë ndryshe dhe jam i lumtur kështu. Futbolli ishte si një rutinë ushtarake, nuk më lejohej as të pija duhan”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat