Dy ditët e…kampionëve: Ronaldo, Messi dhe Neymar bëhen bashkë në Itali

Futboll

Dy ditët e…kampionëve: Ronaldo, Messi dhe Neymar bëhen bashkë në Itali

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 16:29
Neymar, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo

Më shumë se dy ditë normale të Champions Leagues, në Itali do të jenë dy ditë të kampionëve.

Nuk ka të bëjë aspak me ndryshimin e emrit të kompeticionit më të rëndësishëm të klubeve, por grupet kanë sjellë përballje shumë interesante dhe të veçanta. Italia në të njëjtën kohë do të mirëpresë Cristiano Ronaldo, Leo Messi dhe Neymar, pretendentët për të fituar “Topin e Artë”, dhe ndoshta tre futbollistët më të mirë në botë. Portugezi tashmë jeton në Itali, ndërsa dy të tjerët do të jenë vizitor për pak kohë. Një gjë e tillë, ku ajka e futbollit botëror ishte në Itali, ndoshta nuk kishte ndodhur që në vitin 1995 me Stoichkov te Parma, Baggio dhe Maldini te Milan. Sot, ndonëse përkohësisht, ka mbërritur një tjetër treshe, që u premtojnë tifozëve italian, përveç të tjerave, një futboll spektakolar.

Lionel Messi

Do të nisë që sot. Në orën 21:00…Messi do të mbërrijë në San Siro. A do të luajë ai? Askush se di, por gjithsesi argjentinasi është pjesë e listës së thirrur nga trajneri Valverde. Kështu Interi do jetë në gjendje ta shohë atë që ka qenë gjithnjë ëndrra e tyre në sirtar, që herë pas here rikthehet në vëmendjen e trajnerëve, drejtorëve të klubeve dhe tifozëve. Vështirë, pothuajse e pamundur për ta parë një ditë Messin të luajë me fanellën zikaltër. Edhe pse të gjithë e duan, sot në Itali “luten” që argjentinasi të mos zbresë në fushë, kështu shanset për të fituar do ishin më të mëdha për interistët.

Neymar

Cavani do të jetë përballë Napolit, ish- skuadrës së tij, por në fushë do të jetë edhe Neymar, një nga tre pretendentët për “Topin e Artë”. Ndoshta këtë vit, shanset që braziliani të rrëmbejë këtë çmim janë më të pakta, sidomos nëse do të vareshin nga paraqitjet e tij në Champions League.

Cristiano Ronaldo

Në Torino ndoshta janë mësuar me prezencën e tij, ndoshta jo…Cristiano Ronaldo ka fituar 5 Champions League, po aq sa edhe “Topa të Artë”. Me transferimin e tij te Juventusi, ai është në kërkim të titullit të gjashtë në karrierë. Edhe pse shumë janë skeptikë, ai dhe juventinët shpresojnë dhe besojnë.  Megjithatë, tifozët italian duhet të jenë të lumtur për diçka: në fund të ndeshjeve, Messi dhe Neymar do të largohen, e ndërsa Ronaldo do të mbetet për të ndezuar Seria A.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat