Ferizaj më shumë ka fituar pikë në udhëtim se sa si vendas!

Futboll

Ferizaj më shumë ka fituar pikë në udhëtim se sa si vendas!

Nga: Kemajl Goca Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 18:51
Dren Gashi

Nuk e kanë qetësinë, pozita e dhjetë me 14 pikë të mbledhura në IPKO Superligën e Kosovës, është e palakmueshme për Ferizajn. Veçori e këtij klubit është se më shumë pikë kanë fituar në udhëtim, se sa si vendas. Nga 14 pikët e mbledhura 8 i kanë fituar si mysafirë dhe 6 si vendas. Si vendas e kanë mundur Lirinë me 1:0 dhe Drenicën me 2:0, ndërsa si mysafirë barazuan 0:0 me Prishtinën dhe po ashtu 0:0 me Lirinë, fituan me 1:0 në Therandë kundër Ballkanit dhe së fundi me 2:1 në Kastriot ndaj KEK-ut. Ferizajasit kanë bilanc të varfër, nga 14 ndeshje realizuan 4 fitore, 2 barazime dhe pësuan 8 humbje, kanë goldallimin negativ 9:18.

Disa herë në klubin ferizajas ankohen se mungon efikasiteti i sulmuesve, por në anën tjetër klubi kishte filluar përgatitjet me vonesë, dy javë pa filluar kampionati. Kjo vonesë e përgatitjeve i ka lënë edhe me pasoja të mëdha, por kryetrajneri Afrim Tovërlani gradualisht e ka stabilizuar ekipin dhe po arrijnë të mbledhin pikë. Futbollisti i Ferizajt Dren Gashi shpreson se do të arrijnë rezultat të mirë edhe ndaj Feronikelit, në ndeshjen që luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, gjatë të hënës (me 12 nëntor, 13.30). 

“Normal që disponimi i ekipit pas fitores (ndaj KEK-ut) është më i mirë dhe kjo na ndihmon për takimin e radhës, me Feronikelin”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Gashi. Ferizaj ka lëshuar shumë pikë, a mungon efikasiteti i sulmuesve?

“Është e vërtetë që lëshuam shumë pikë nga dora, gjë që mendoj se tash është duke ardhur në shprehje vonesa e përgatitjeve dhe fillimit të komponimit te ekipit”, përgjigjet ai.  Futbollisti beson se shumë shpejt do të këndellen dhe do të janë në binarë të rezultateve: “Mendoj që do të këndellemi ende me fuqishëm dhe se Ferizajn e vërtetë nuk e kanë parë ende ekipet e Superligës”. A shpresoni se do t’i ikni zonës së barazhit?

“Normal që shpresoj që do t’i ikim, pasi që jemi duke luajtur bukur po ashtu duke krijuar shumë raste në çdo lojë”, tha futbollisti. Ai është optimist se me kalimin e javëve do të kthehen në zinxhirë të rezultateve: “Por në ndeshjet e radhës besoj se do t’i shfrytëzojmë të gjitha dhe të kthehemi nga çdo lojë me rezultate pozitive”. Gashi tregon se çka i mungon Ferizajt dhe çka kërkon në Drenas ndaj Feronikelit: “Ferizajt i mungon vetëm efikasiteti dhe asgjë tjetër. Në Drenas do të shkojmë për të marrë pikë normalisht”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat