Rrëfimi: Messi ishte i vdekur në 2015-ën, ja çfarë këshille i dhashë

Futboll

Rrëfimi: Messi ishte i vdekur në 2015-ën, ja çfarë këshille i dhashë

Më: 11 nëntor 2018 Në ora: 08:50
Leo Messi

Dhjetë vite të kaluar bashkë te kombëtarja e Argjentinës, një miqësi që ka lindur në fushën e lojës dhe një respekt reciprok që i bashkon. Kështu Martin Demichelis, ish-mbrojtës i Malaga, Atletico Madrid dhe Manchester City, ka rrëfyer për “La Nacion” disa prapaskena që kanë lidhje me atë që konsiderohet si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, Leo Messi.

Marrëdhënia – “Jemi grumbulluar në kombëtare pothuajse në të njëjtën periudhë, në 2005-ën, dhe kemi ndarë bashkë shumë momente. E konsideroj veten një nga 10 ose 12 miqtë që Messi ka zënë në vitet e kaluar me kombëtaren. Kam shkuar në dasmën e tij, por nuk kam dashur kurrë të abuzoj nga kjo marrëdhënie”, ka thënë Demichelis.

Periudha e zezë – “Ka qenë më shumë i zhgënjyer dhe i dorëzuar në 2010-ën, kur kemi humbur 4-0, sesa pas finales së humbur në 2014 -ën: aty kishim dhënë gjithçka dhe nuk mund të kishim bërë më shumë. Kam vënë re se ishte më keq vitin pasues, në Kili, në Kupën e Amerikës të 2015-ës. Ishte i vdekur, i shkatërruar”.

Shëndeti – Mes episodeve të ndryshme që kanë bashkuar Demichelis dhe Messi ka qenë edhe periudha negative e lidhur me problemet shëndetësore të “Pleshtit”. Ka qenë pikërisht ish-mbrojtësi që e ka këshilluar fenomenin e Barcelona-s të shkonte te dietologu italian, i cili e ka ndihmuar Leon të kalojë problemet gastrointestinale:

“Leo ishte i lodhur nga të vjellat dhe diarreja dhe është e vështirë t’i thuash një lojtari të kalibrit të tij të ndryshojë mënyrën e të ushqyerit.
Por madhështia e Messi-t qëndron edhe te dëshira për të ndryshuar dhe përmirësuar. Fatmirësisht, është takuar me dietologun dhe ka nisur të ç’intoksikohet nga ato ushqime që i krijonin shqetësime”.

Messi – “Leo është një tip i mbyllur, por bën shumë shaka me njerëzit e afërt. Është një mik i vërtetë. Mendoj se është pjekur pasi është bërë baba dhe bërë më shumë lider. E vlerësoj shumë, sepse, përveç gjithçkaje që ka fituar, vazhdon të jetë i sjellshëm, njerëzor dhe i përulur. Është e pamundur ta dëgjosh në një intervistë që të flasë për objektivat e tij, titujt e fituar apo topat e artë, nuk i përmend kurrë”, ka përfunduar Demichelis.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat