Kukësi kërkon kthesën e madhe

Futboll

Kukësi kërkon kthesën e madhe

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 15:33
Kukësi kërkon kthesën e madhe

Kukësi ka arritur të marrë vetëm 21 pikë në 13 javë, të cilat kanë mërzitur e zhgënjyer jo pak kreun e klubit, Gjici. Vetë presidenti nuk e kishte imagjinuar kurrë në fillim të sezonit që mbas kaq javësh të gjendej në këtë kuotë pikësh, pasi Kukësi ishte një prej klubeve më aktivë në merkaton e verës. Cilat janë arsyet që verilindorët kanë dështuar deri tani? Së pari, shumicës së futbollistëve të ardhur në merkato u duhej kohë që të përshtateshin me pjesën tjetër të ekipit, të cilët ishin më pak se gjysma e formacionit.

Pra, te Kukësi ndryshimi që të sjellë atë çka kërkohet duhet kohë. Paçka se në merkaton e verës u afruan dhe lojtarë mjaft të mirë si Melo, Cuculi, Maliqi, të cilët realisht kanë bërë mirë tek ekipi verilindor, por shumica prej të ardhurve kanë rezultuar jo efikasë, si Harba, Ture, e një pjesë tjetër e mirë e grupit. Elementë të tjerë të “dështimit” për drejtuesit e Kukësit janë dhe arbitrat, të cilët prej shumë javësh sulmojnë Kukësin, e rastin e fundit ishte goli i anuluar i Rexhinaldos ndaj Teutës për pozicion jashtë loje. Por, për ta mospasja e një fushe fikse dhe mosqenia në Kukës për ndeshjet brenda, ka luajtur një rol kryesor. Pa dyshim që dhe fati nuk ka qenë me ekipin. Humbja më e madhe për ekipin që ka ndikuar drejtpërdrejt te rezultatet është dëmtimi i Musollit e Rrumbullakut, të cilët kanë çorientuar komplet modulin dhe skemat e lojës së trajnerit Cungu.

PLANI – Drejtuesit e Kukësit po mendojnë të dalin nga kjo situatë, e për këta kanë hartuar një plan të mirëfilltë. Së pari, ekipi duhet të marrë pikë sa të mundet deri në janar me qëllim që diferenca mes tyre dhe kryesuesve mos të jetë më e madhe. Fitore të drejtpërdrejta ndaj Partizanit e Korçës. Sakaq në janar çdo gjë do ndryshojë për Kukësin, pasi drejtuesit do ndërhyjnë në merkato, duke afruar një mesfushor qendre dhe një sulmues pykë që të bëjnë diferencën.

Me dy ndërhyrje të forta dhe me rikthimin e Rrumbullakut situata përmirësohet ndjeshëm. Klubi ka nisur punën që tani për t’u përforcuar e për këtë arsye ka nisur skautë në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Kroaci, madje dhe në Belgjikë. Para janarit duhet të jenë mbyllur kontratat. Pastaj, në varësi të afrimeve mund të ketë dhe ndonjë largim. Deri në merkaton e janarit disa lojtarë janë si periudhë prove. Presidenti Gjici ka dhënë OK-in për buxhetin për shpenzime për këta lojtarë që do afrohen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat