Super Kosova, shkatërron Maltën me një breshëri golash

Futboll

Super Kosova, shkatërron Maltën me një breshëri golash

Nga: Bota sot Më: 17 nëntor 2018 Në ora: 17:22
Foto nga ndeshja

(E plotësuar) - Kosova ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme në udhëtim te Malta në kuadër të Ligës së Kombeve, për ta mbajtur kreun e tabelës në Grupin 3.

Rezultati përfundimtar i takimit të sotëm ishte 0-5.

Golin e parë e shënoi Vedat Muriqi në minutën e 15 pas asistimit nga Milot Rashica. Ky ishte edhe rezultati i pjesës së parë.

Në pjesën e dytë Kosova ishte edhe më efikase, duke shënuar katër herë.

Në minutën e 70 Benjamin Kololli shënoi gol të bukur, duke e paraboluar portierin kundërshtar.

Për dy minuta shënoi dy herë Donis Avdijaj, pas asistimit nga Muriqi e Rashica. E ky i fundit shënoi golin e fundit të takimit në minutën e 80, me një goditje të bukur jashtë zonës së rreptësisë.

Në Grupin 3 Kosova është lider me 11 pikë, kurse Malta në vendin e fundit ka 2 pikë.

Raportimi live:

93' Ka përfunduar gjithçka. Kosova ka shënuar një fitore të madhe ndaj Maltës, me rezultat 0-5.

90' Na ndajnë edhe 3 minuta të shtesës nga fitorja e madhe.

88' Kosova ka shënuar tjetër gol të shpejtë ndaj Maltës për ta çuar epërsinë në 0-5, kësaj radhe nga Milot Rashica.

85' Në një aksion të vendasve, është gardiani i portës Samir Ujkani i cili nuk lejon për befasi.

80' Edhe një herë talenti Avdiaj, dhe Kosova po e shpartallon Maltën, rezultati 0-4.

78' Pas një pasimi nga sulmuesi Muriqi, përball portës i vetëm gjendet talenti Avdiaj i cili nuk gabon dhe dërgon rezultatin në 0-3.

75'. Kanë mbetur edhe 15 minuta lojë dhe Kosova vazhdon të luaj në mënyrë fantastike.

70' Kosova ka gjetur golin e dytë. Kololli ka shënuar supergol.

65' Benjamin Kololli pas një vrapimi të bukur harkoi në zonë, por nuk gjeti asnjë nga bashkëlojtarët e tij.

51' Tjetër mundësi e super-sulmuesit Vedat Muriqi, i cili me një dalje rrezikoi vendasit.

46' Fillon pjesa e dytë, përsëri dominojnë të tanët.

45' Mbyllet pjesa e parë.

40' Berisha shumë afër të shënonte. Goditjen e tij e largon portieri.

36' Muriqi nuk arrinë ta godas topin që mund ta dyfishonte epërsinë.

32' Lojë e ashpër nga skuadra e Maltës.

23' Kosova gjithnjë e më e rrezikshme. Shumë raste për golin e dytë.

15' GOOL!  Vedat Muriqi dërgoni Kosovën në Epërsi.

7' "Duam fitore, duam fitore", dëgjohen thirrjet e "Dardanëve" nga tribunat.

3' Vedat Muriqi shumë afër golit me një goditje me kokë.

1' Fillon ndeshja, dhjetra tifozë të Kosovës gjenden në stadium.

Formacionet

Janë publikuar formacionet zyrtare për ndeshjen Maltë – Kosovë.

Kjo ndeshje do të jetë e vlefshme për xhiron e pestë ta fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, përkatësisht në grupin e 4 të ligës D.

Dardanët në këtë takim futen si lider të grupit dhe synojnë fitoren për të prekur me një këmbë në fazën tjetër.

Malta në anën tjetër veçse është pa gjasa për të kaluar në fazën tjetër.

Ndeshja fillon në ora 18:00. Këto janë formacionet: 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat