Skocezi tregon duelin me shqiptarin

Futboll

Skocezi tregon duelin me shqiptarin

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 14:20
Grezda në veprim

Callum Paterson është një lojtar “polivalent”, çka nënkupton se ai është i përdorshëm në të gjithë fushën nga trajneri, përfshirë edhe rolin e sulmuesit në Premier League, këtë sezon. Por, trajneri i Skocisë, Alex McLeish, e ka vendosur atë në të djathtë të mbrojtjes, në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve me Shqipërinë.

Kjo do të thotë se detyra e tij ishte specifike, të kontrollonte dhe të përmbante inkursionet e këmbëshpejtit Eros Grezda. Dhe ndërsa Skocia mori një fitore të plotë, 4-0, duke synuar ende kualifikimin, Paterson pranoi se herë pas here iu desh të luftonte fort kundër 23-vjeçarit shqiptar, që i është bashkuar Glasgow Rangers.

“Kisha një kohë të gjatë, që nuk luaja në të djathtë të mbrojtjes. Nuk është pozicioni im i preferuar, por ju e dini se jap më të mirën, kudo që më vendos trajneri, – tha ai, siç raportohet nga skocezja “The Scottish Sun”. – Grezda ishte i vështirë për t’u kontrolluar, më krijoi probleme. Duhej të kujdesesha për pozicionin, por nuk bëra mirë, sidomos në 15-20 minutat e para të lojës.

Jam i lumtur të bëj punën time, aty ku më kërkon trajneri. Por, nëse e shoh këtë ndeshje edhe një herë, nuk jam i kënaqur me atë që kam dhënë. Nuk ishte ndeshje e mirë. Bëra shumë faulle, mora një karton të verdhë, që në fillim. Isha i lumtur që pjesa tjetër e skuadrës bëri mirë edhe për mua”.

Ndërsa Paterson nuk mund të konsiderohet si një mbrojtës i natyrshëm, Grezda me siguri mund të marrë disa inkurajime nga performanca e tij, duke qenë se ky është pozicioni ku ka luajtur më shumë gjatë gjithë karrierës së tij.

Nënshkrimi i verës prej 2 milionë £ i Rangers, sa është raportuar nga “BBC Sport”, herë pas here duket i rrezikshëm dhe kjo do t’i japë Steven Gerrard më shumë alternativa në fazën ofensive.
Grezda po fillon ta gjejë veten te Rangers, pasi shënoi dy gola në paraqitjen e tij më të fundit me ekipin e njohur skocez.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat